OKB thirrje talebanëve të rihapin shkollat!

vovalbania September 18, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
OKB thirrje talebanëve të rihapin shkollat!

Kombet e Bashkuara u bënë thirrje talebanëve të rihapin shkollat e mesme për vajzat në mbarë Afganistanin, duke dënuar ndalimin e shkollimit një vit më parë dhe duke e cilësuar këtë vendim si “tragjik e të turpshëm”. Disa javë pasi morën pushtetin në gusht të vitit të kaluar, një vit më parë, islamikët e linjës së ashpër rihapën shkollat e mesme për djemtë, por ndaluan vajzat që të ndiqnin shkollimin e mesëm.

Më 23 mars, Ministria e Arsimit hapi shkollat e mesme për vajzat, por brenda orësh, udhëheqja e talebanëve urdhëroi që shkollat të mbylleshin sërish. “Që atëherë, mbi një milion vajza janë privuar nga arsimimi në mbarë vendin”, – tha Misioni i OKB-së për Ndihmën në Afganistan, (UNAMA).

Markus Potzel, ushtrues i detyrës së drejtorit të UNAMA-s:

Kjo është tragjike, është e turpshme dhe është një përvjetor që do të duhej të shmangej. Eshtë thellësisht e dëmshme për një gjeneratë vajzash dhe për vetë të ardhmen e Afganistanit.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje talebanëve që të heqin ndalesën.

Një vit i humbur i dijes dhe i mundësisë që nuk do të kthehet kurrë. Vajzat e kanë vendin në shkollë. Talebanët duhet t’i lejojnë që ato të kthehen në shkolla.

Disa zyrtarë talebanë kanë thënë se ndalesa është e përkohshme, por gjithashtu dhanë një sërë justifikimesh për mbylljen e shkollave nga mungesa e fondeve për të rimodeluar kurrikulën në bazë të mësimit islam.

Kur morën pushtetin më 15 gusht të vitit të kaluar, pas tërheqjes së trupave të huaja, talebanët premtuan se regjimi i tyre do të ishte më i butë se në kohën kur udhëhoqën Afganistanin në periudhën e viteve 1996-2001. Por, brenda ditësh ata nisën të vendosnin kufizime të ashpra ndaj grave dhe vajzave, duke u bazuar në versionin e tyre të Islamit dhe i larguan vajzat e gratë nga jeta publike e Afganistanit.

Përveç se kanë mbyllur shkollat për vajzat, po ashtu talebanët u kanë ndaluar grave që të angazhohen në punë qeveritare dhe i kanë urdhëruar që të mbulohen në publik, kryesisht duke veshur burka. Disa shkolla të mesme për vajzat ende qëndrojnë të hapura në disa provinca larg Kabulit e Kandaharit, që janë qendrat e pushtetit të talebanëve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49616 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE