Komisioni Europian i shkruan BE-së për liberalizimin e vizave Kosovës!

vovalbania October 08, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Komisioni Europian i shkruan BE-së për liberalizimin e vizave Kosovës!

Vendeve anëtare të BE-së në Këshillin Europian, Brukseli zyrtar iu dërgoi një dokument të detajuar teknik ku konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Komisioni thekson se mbetet në fuqi propozimi që Unioni t’i liberalizojë vizat Kosovës. Ky dokument përbën bazën e diskutimeve në grupin e punës së Këshillit për vizat, më 13 tetor, në Bruksel. Ndërkohë, u dërgua si rifreskim i të dhënave për të informuar vendet anëtare të Bllokut e nuk është raport formal për zbatimin e udhërrëfyesit. Një raport i tillë është përgatitur e nuk ka nevojë për një tjetër.

Në dokumentin e dërguar si non-paper, përmenden shembujt që dëshmojnë se edhe pas vitit 2018, kur Komisioni Europian konfirmoi përmbushjen e kritereve, Kosova vazhdoi të shënojë progres në të gjitha fushat e përfshira në udhërrëfyesin për vizat. Në konkluzione thuhet:

Kosova ka vendosur një kornizë të fuqishme ligjore dhe operacionale për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar e për t’u përballur me rreziqet e sigurisë e ato nga emigracioni. Kjo u konfirmua edhe përmes raporteve vjetore të Komisionit, në kuadër të paketës së zgjerimit.

Në të njëjtin dokument konfirmohet se Kosova ka vazhduar të konsolidojë progresin në fushat kyçe të identifikuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.  Si rrjedhojë, baza për rekomandimin e Komisionit nga viti 2018 për të përjashtuar shtetasit e Kosovës nga kërkesa për viza për qëndrim afatshkurtër, mbetet tërësisht e vlefshme.

Sipas ekspertëve të Komisionit Europian, vitet e fundit Kosova ka forcuar kornizën ligjore e institucionale në fushat si siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve dhe emigracioni, rendi publik e siguria, të drejtat themelore të lidhura me lirinë e lëvizjes, duke i afruar ato me standardet e BE-së.

Në raport konfirmohet se “Ministria e Brendshme e Kosovës siguron që të gjitha dokumentet e udhëtimit, pasaportat, janë biometrike e në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të Bashkimit Europian”.

Kosova përshtati më shumë legjislacionin me BE-në, edhe në fushën e menaxhimit të koordinuar të kufijve. Gjithashtu, ka bërë progres domethënës në funksionimin e sistemit gjyqësor, përfshirë efikasitetin, profesionalizmin, përgjegjësinë e integritetin. Kosova ka arritur përparim në hetimin dhe dënimin e rasteve të krimit të organizuar. Vendi i ka përmbushur edhe kushtet për riatdhesimin e shtetasve të tij, të cilët kërkuan azil në BE e morën vendim për t’u larguar.

Komisioni Europian konstaton trend pozitiv në numrin e refuzimit të dhënies së vizave për qytetarët e Kosovës nga vendet e BE-së, si dhe rënien e numrit të azilkërkuesve të rremë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50208 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE