Shorti i EURO 2024, nesër Shqipëria njeh rivalët!

vovalbania October 08, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Shorti i EURO 2024, nesër Shqipëria njeh rivalët!

Nesër, Shqipëria njeh kundërshtarët që do të ketë përballë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2024, me shortin që do të hidhet në Frankfurt të Gjermanisë, në ora 12:00.

Në këto eliminatore do të marrin pjesë 53 skuadra, ndërsa Gjermania si organizatore e UEFA EURO 2024, kualifikohet automatikisht, ndaj nuk merr pjesë ne short. Bazuar në vendimet e mëparshme të UEFA-s, Rusia është e përjashtuar nga shorti dhe nga këto eliminatore. 53 skuadrat që marrin pjesë në shortin e kualifikueseve më 9 tetor 2022, janë klasifikuar nëpër 6 vazo në bazë të renditjes së përgjithshme të UEFA Nations League 2022/23 dhe do të ndahen në dhjetë grupe kualifikuese, shtatë nga të cilat me pesë skuadra (nga Grupi A deri në Grupin G) dhe tre grupe me nga gjashtë skuadra (nga Grupi H deri në Grupin J).

Ndeshjet e fazës kualifikuese do të nisin në muajin mars dhe do të përfundojnë në nëntor 2023. Në përfundim të kualifikueseve, dhjetë skuadrat e renditura të parat në grupe së bashku me 10 vendet e dyta kualifikohen automatikisht për në fazën finale. Tre skuadrat e tjera pjesëmarrëse do të dalin nga faza play-off që do të zhvillohet në mars 2024.

Faza finale e Europianit, ku do të marrin pjesë 24 skuadra, do të zhvillohet nga 14 qershor deri më 14 korrik 2024 në Gjermani.
Shqipëria është e pozicionuar në vazon e tretë të shortit së bashku me Ukrainën, Islandën, Norvegjinë, Slloveninë, Republikën e Irlandës, Malin e Zi, Rumaninë, Suedinë dhe Armeninë.

Katër finalistët e UEFA Nations League e më konkretisht Holanda, Kroacia, Spanja dhe Italia do të luajnë ndeshjet finale të këtij kompeticioni në qershor 2023. Si pasojë, këto skuadra kanë vetëm tetë ditë ndeshjesh në dispozicion për fazën e grupeve të eliminatoreve dhe duhet të pozicionohen në grupe me pesë skuadra në këtë short.

Bazuar në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s këto skuadra nuk mund të shortohen në të njëjtin grup: Armeni/Azerbajxhan, Bjellorusi/Ukrainë, Gjibraltar/Spanjë, Kosovë/Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë/Serbi.

Disa shtete paraqesin kushte të vështira atmosferike gjatë dimrit për të luajtur futboll dhe për të minimizuar rrezikun e ndikimit të motit në ndeshje është vendosur që maksimumi dy shtete të tilla të jenë në të njëjtin grup. Vendet që paraqesin vështirësi gjatë dimrit janë Bjellorusia, Estonia, Ishujt Faroe, Finlanda, Islanda, Letonia, Lituania e Norvegjia.

Gjithashtu do të shmanget përballja në grupe e disa vendeve që përfaqësojnë një distancë shumë të largët udhëtimi nga njëra-tjetra dhe një maksimum prej një çifti të tillë mund të vendoset në të njëjtin grup.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48643 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE