Raporti i Dick Marty-t, kryeministri Rama në Këshillin e Europës!

vovalbania October 12, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Raporti i Dick Marty-t, kryeministri Rama në Këshillin e Europës!

Kryeministri Edi Rama sot do t’i drejtohet Këshillit të Europës, ku pritet të kërkojë rishikimin e Rezolutës 1782 (të miratuar në vitin 2011) për raportin e Dick Marty-t, si dhe të shpallë të pabazuara akuzat e tij për trafikim të organeve të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë. Para Këshillit të Europës, Rama pritet të prezantojë një rezolutë të Shqipërisë, që kërkon që akuzat e raportit të konsiderohen “të paargumentuara, të paprovuara e të pabazuara në fakte”.

Kjo rezolutë u miratua më 21 korrik në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë asaj seance, Rama deklaroi se “zëri i Shqipërisë do të dëgjohet në Strasburg”, duke theksuar se “raporti i senatorit zviceran solli një proces hetimesh”, por sipas tij “nuk solli drejtësi dhe i bëri viktima, figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Ndërkaq, më 10 gusht Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në Këshillin e Europës i drejtoi një notë verbale selisë së Këshillit të Europës në Strasburg. Aty theksohej se “pretendimet e raportit të Dick Marty-t, edhe pas 11 vitesh hetime, nuk janë provuar e nuk bazohen në fakte”. Më herët, Rama pati deklaruar në Bruksel se mbështetja e atij raporti ishte “faqe turpi” për Këshillin e Europës, teksa tha se “duhet t’u kërkohet falje shqiptarëve për këtë raport”.

Në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 24 shtator, Rama deklaroi se “Marty duhej të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të besohej si raportues i Këshillit të Europës”.

Shqipëria pret një raport vijues, që do të çojë edhe në rivendosjen e besueshmërisë te Këshilli i Europës.

Raporti çoi në formimin e Dhomave të Specializuara në Hagë më 2015-ën. Këto dhoma hetojnë krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike e rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor 2000.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-deputetin Rexhep Selimi, gjenden në paraburgim në Hagë nën akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Por, në aktakuzën e përbashkët kundër tyre nuk figuron “trafikimi i organeve njerëzore”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE