Kërcënimet bërthamore të Koresë së Veriut, paralajmërohet përgjigje “e pashembullt”!

vovalbania October 26, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kërcënimet bërthamore të Koresë së Veriut, paralajmërohet përgjigje “e pashembullt”!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë paralajmëruar përgjigje në shkallë “të pashembullt”, nëse Koreja e Veriut kryen testin e shtatë të bombave bërthamore. Uashingtoni dhe aleatët besojnë se vendi komunist mund të rinisë testimin e bombave bërthamore, për herë të parë që nga viti 2017. Në një konferencë për media në Tokio, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Koresë së Jugut, Cho Hyun-dong deklaroi:

Ne u pajtuam se një përgjigje në shkallë të pashembullt do të ishte e nevojshme nëse Koreja e Veriut kryen testimin e shtatë bërthamor.

Cho foli përkrah homologëve nga Japonia dhe SHBA-të, Takeo Mori e Wendy Sherman, e cila u shpreh:

Ne i bëjmë thirrje Koresë së Veriut që të përmbahet nga provokimet e mëtejshme! Ky shtet bën veprime të pamatura e jashtëzakonisht destabilizuese për rajonin.

Gjatë këtij viti, Koreja e Veriut ka testuar një numër të paprecedentë armësh, duke lëshuar dhjetëra raketa balistike, përfshirë një që fluturoi mbi Japoni. I zemëruar nga aktivitetet ushtarake të Koresë së Jugut, javën e kaluar Pheniani lëshoi një breshëri plumbash nga bregdeti, në shenjë paralajmërimi për fqinjin në jug.

Me predha artilerie, Koreja e Veriut goditi në ujërat pranë kufirit me Korenë e Jugut, si paralajmërim për stërvitjet ushtarake të Seulit. Agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA, njoftoi:

Ushtria Popullore Koreane filloi të shtëna kërcënuese, paralajmëruese drejt ujërave lindorë e perëndimorë si kundërpërgjigje e fuqishme ushtarake.

Në deklaratë kërkohej që Seuli “të ndalte menjëherë provokimet nxitëse, të cilat përshkallëzojnë tensionet ushtarake në frontin e luftës”. Sipas Koresë së Jugut, vendi komunist hodhi më shumë se 250 predha artilerie në gjirin perëndimor e atë lindor, në zonën kufitare që ndan dy vendet. Asnjë prej predhave nuk kaloi në ujërat territorialë të Koresë së Jugut.

Në shtator, aeroplanmbajtësja amerikane USS Ronald Reagan e të tjera anije u përfshinë në stërvitje të përbashkëta ushtarake me forcat koreane-jugore, në përgjigje të testimeve të raketave balistike nga Veriu. Kjo ishte hera e parë që nga viti 2017 që një aeroplanmbajtëse amerikane u përfshi në stërvitje ushtarake me Korenë e Jugut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49579 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE