Liberalizimi i vizave për Kosovën brenda vitit të ardhshëm, Çekia me vendim të ri!

vovalbania November 12, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Liberalizimi i vizave për Kosovën brenda vitit të ardhshëm, Çekia me vendim të ri!

Presidenca çeke e Bashkimit Europian hartoi një vendim të ri për Kosovën, ku thuhet se nisja e zbatimit të liberalizimit të vizave do të ndodhë në të njëjtën kohë me atë të sistemit ETIAS, por jo më vonë se 1 dhjetori 2023. Vendimi i ri, u formalizua pas takimit të përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian në grupin e punës për vizat në Këshillin e BE-së, takim i para dy ditëve.

Ky propozim është kompromis lidhur me kërkesën e Francës që hyrja në fuqi të lidhet me funksionalizimin e Sistemit Europian të Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), edhe pse shumica e shteteve anëtare kanë kërkuar që këto dy çështje të mos bëhen bashkë, ose së paku të ketë një datë të prerë se kur qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Heqja e vizave do të vlejë vetëm për personat e pajisur me pasaporta biometrike të lëshuara në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil [ICAO] e nuk do të zbatohet deri në nisjen efektive të operimit të ETIAS, por në çdo rast jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023.

Sipas diplomatëve të BE-së kjo do të thotë se “liberalizimi mund të nisë më 1 nëntor 2023, në rast se në atë datë fillon edhe funksionimi i ETIAS-it”. Por, edhe nëse ky sistem nuk do të jetë gati, liberalizimi i vizave nuk do të zgjatet përtej dhjetorit të vitit të ardhshëm.

Diplomatët e BE-së e konsiderojnë këtë gjë si të rëndësishme për Kosovën se në këtë mënyrë, sipas tyre, shmanget mundësia që vendi të presë për liberalizim në rast të moshyrjes në fuqi të ETIAS-it. Funksionalizimi i sistemit është shtyrë disa herë, edhe pse teknikisht ka qenë gati. Afati i ri i nisjes së zbatimit të ETIAS-it është 1 nëntori i vitit 2023, por nuk ka garanci se kjo do të ndodhë.

Aktualisht, propozimi çek është në të ashtuquajturën “procedurë e heshtur” në grupin e punës për vizat në Këshillin e BE-së. Nëse asnjë vend nuk paraqet vërejtje deri më 16 nëntor, atëherë vendimi do të kalojë për miratim në nivel më të lartë, atë të ambasadorëve të shteteve anëtare në organizmin e quajtur Coreper e ku çështja e vizave mund të vihet në rend dite më 23 nëntor. Nëse kalon aty, kjo çështje mund të dërgohet për negociata në Parlamentin Europian.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49899 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE