Berisha nuk tërhiqet: Protestën do e mbajmë në bulevard; do shmangim përplasjet

vovalbania December 02, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Berisha nuk tërhiqet: Protestën do e mbajmë në bulevard; do shmangim përplasjet

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga protesta e 6 dhjetorit, edhe pse do të shmangë një përplasje me policinë.

Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha tha se të drejtën për protest në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, opozitës ia garanton kushtetuta. Ai paralajmëroi edhe Ramën, duke thënë se përballja me të do të vijë më vonë.

“Ne do zbatojmë kushtetutën. Ne zbatojmë me përpikmëri kushtetutën. Kemi shpallur protestën tonë në bulevard, kushtetuta na autorizon të protestojmë në Bulevard. Edi Rama kërkon përballje, ne do përpiqemi ta shmangim atë ditë, por mund t’ia rezervojmë kur të dojë, atë ditë jo. Ai i bën llogaritë shumë gabim. Populli opozitar po përgatitet mirë për t’i dhënë përgjigjen që meriton”, tha Berisha.

Sipas Berishës, protestat në samite apo takime ndërkombëtare, përveç vendeve totalitare, janë gjërat më normale në vendet e lira. Kreu i PD-së u shpreh se qytetarët kanë të drejtë të dëgjohen dhe se liderët evropianë duhet të kuptojnë se shqiptarët janë kundër krimit dhe korrupsionit të qeverisë së tyre.

“Më 6 dhjetor, në Tiranë zhvillohet samiti i vendeve anëtare të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Protestat në samite dhe takime ndërkombëtare, përveçse në vendet diktatoriale, janë gjëja më normale, janë pothuajse ligj.

Kudo ku ka takime liderësh, ka protesta për kauzat. Qytetarët jo rrallë kanë kaluar në këto protesta edhe në mosbindje të thellë civile. Kjo ka ndodhur në Athinë, Paris, Dublin, Uashington etj.

Pak javë më parë, amerikanët protestuan në Nju-Jork gjatë samitit të OKB-së. Në Bruksel u zhvilluan protesta pak muaj më parë kur mbahej samiti me Afrikën i BE-së. Askush nuk i pengoi, askush nuk i ofendoi si agjentë të Kremlinit siç bën Edi Rama, Belinda Balluku dhe Taulant Balla.

Amerikanët protestojnë kur ka samite, francezët protestojnë kur ka samite, evropiano-perëndimorët i qëllojnë me vezë dhe bojë kur ka samite. Por kjo nuk ndodh kurrë në Korenë e Veriut, në Kubë, Egjipt, Arabi Saudite apo gjetkë. Atje protestat janë të paligjshme dhe qytetarët nuk protestojnë dot. Në Moskë nuk lejohen protestat.”

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE