Berisha: Protestë më 6 dhjetor e të tjera të fuqishme po vijnë!

vovalbania December 02, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Berisha nuk tërhiqet: Protestën do e mbajmë në bulevard; do shmangim përplasjet

Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha bëri sërish thirrje për pjesëmarrje të qytetarëve në protestën që pritet të organizohet në 6 dhjetor, ditën kur liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor mblidhen në një samit të përbashkët.

Në një takim me qytetarët e degës numër 7 në Tiranë, Berisha deklaroi se nuk kishte samit pa protestë, duke marrë shembuj nga shtete të ndryshme perëndimor ku ishin organizuar protesta në organizime të tilla.

“Këto ngjarje janë, protesta, do ta quaja më europiane që shqiptarët kanë organizuar pas dhjetorit të vitit 1991, protestë në të cilën populli opozitar do të jetë i tëri në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në një mision të madh, për të përfaqësuar aty, përkushtimin, vlerësimin, qëndrimin ndaj vlerave të demokracisë, dhe atyre evropiane.  Njerëzit të cilët kanë respekt për lirinë, dinjitetin e tyre, të drejtat e tyre, përdorin protestën si zë të tyre. Përdorin protestën për të dëshmuar se asgjë nuk mund të mposhtë të drejtën e tyre për tu dëgjuar.

Njerëzit të cilët tremben, kanë frikë, zgjedhin heshtjen, ngushëllojnë veten me ç’më duhet mua dhe vazhdojnë në orbitën e njerëzve të shtypur. Ne të tillë nuk jemi. Ne do të ndjekim shembullin e qytetarëve të lirë të Francës, Italisë, Anglisë, SHBA-së, Gjermanisë dhe të çdo vendi tjetër të cilët në çdo samit të lidërve të Europës apo botës, pavarësisht se gëzojnë liritë dhe të drejta pakrahasimisht më shumë se ne janë në protestë.

Nuk ka samit pa protestë. Të tilla ndodhin vetëm në vende diktatoriale ku protestat janë të ndaluara, ku diktatorët mblidhen dhe nuk pipëtin asgjë.  Edi Rama po bën gjithçka për të krijuar këtë tabllo dhe në Shqipëri, por ne kurrë nuk do ta lejojmë. Ne do të jemi në shesh me të madh e të vogël”-u shpreh Berisha.

Teksa foli për protesta për fuqishme, ish kryeministri, Sali Berisha bëri thirrje që mbështetësit e PD-së të përgatiteshin duke mos përjashtuar as mundësinë e mosbindjes civile.

“Do bëjmë betejë me të gjitha mjetet, edhe me mosbindje civile. Ne po kërkojmë votën, ky nuk të lë. Ai tjetri që kishim në krye ishte i tillë se dilte e thoshte 5 mijë e ca vota ndërkohë që ishin 1900 karrige aty. Po nuk kthyem votën ne kemi marrë fund si komb. Do ketë protesta shumë të fuqishme, ata që duan të ndjekin këtë rrugë, duhet të përgatiten. Dua të them të përgatiteni për protesta, se do fitojnë ata që vendosin të qëndrojnë”- tha kreu i ‘Rithemelimit’.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48582 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE