Franca dhe Europa në qendër të agjendës amerikane, Emmanuel Macron edhe në Luiziana!

vovalbania December 03, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Franca dhe Europa në qendër të agjendës amerikane, Emmanuel Macron edhe në Luiziana!

Në kuadër të vizitës në Amerikë, presidenti francez, Emmanuel Macron ishte edhe në Luiziana, shtet amerikan, historikisht i lidhur me Francën. Kjo për të festuar lidhjet e vjetra kulturore e gjithashtu për të diskutuar politikën e energjisë dhe ndryshimet klimatike. Presidenti Macron u takua me zyrtarë politikë dhe me zonjën e parë Brigitte, shëtiti në lagjen historike franceze të Nju Orlinsit, në zemër të qytetit, duke ndaluar për të folur e shtrënguar duart me kalimtarët. Ai ndaloi pranë një grupi muzikor që interpretonte “When the Saints Go Marching In”.

Kjo është e para vizitë e një presidenti francez atje, që kur Valery Giscard d’Estaing udhëtoi në Lafajet e Nju Orlins në vitin 1976. I vetmi president tjetër francez që vizitoi Luizianën ishte Charles de Gaulle në vitin 1960. Itinerari i Macron-it filloi në sheshin Jackson.

Kryebashkiakja LaToya Cantrell e shoqëroi në Koleksionin Historik të Nju Orlinsit ku Macron diskutoi ndikimet e ndryshimeve klimatike me guvernatorin John Bel Edwards. Presidenti francez u takua edhe me përfaqësues të kompanive energjetike.

Guvernatori Edwards u shpreh:

Mendoj se kjo evidenton një marrëdhënie të veçantë që kemi me Francën. Eshtë historike dhe kulturore.

Demokrati Edwards ka folur hapur për rreziqet e ndryshimeve klimatike në një shtet ku mijëra vende pune janë të lidhura me industrinë e naftës dhe gazit. Ndalesa në Nju Orlins, e bën “shumë emblematik” në përpjekjet e lidhura me klimën.

Macron deklaroi:

Kjo vizitë shtetërore na mundëson të vendosim Francën dhe me Francën Europën, në qendër të agjendës amerikane. Kjo është një gjë e mirë.

Gjatë një takimi të shkurtër, guvernatori dhe Macron nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, për të zgjeruar e përmirësuar më tej lidhjet e forta kulturore mes Francës e Luizianës në fushat e ekonomisë, energjisë së pastër dhe mjedisit.

Gjatë vizitës së shefit të Elizesë në Uashington, ai dhe presidenti Joe Biden dolën me një deklaratë të përbashkët duke shprehur shqetësimin e tyre të thellë në lidhje me ndikimin në rritje të ndryshimit të klimës.

Luiziana ka këtë emër për nder të Luigjit të XIV, mbreti i famshëm i Diellit që sundoi Francën për 72 vjet duke filluar nga 1643-shi. Nju Orlins është vendi ku u finalizua Blerja e Luizianës. Akordi transferoi Territorin e Luizianës, që përfshinte pjesën më të madhe të asaj që sot janë pjesa qendrore e Shteteve të Bashkuara, nga Franca tek SHBA-të, në vitin 1803.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49830 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE