Gjendja në veri të Kosovës, BE-ja e shqetësuar: Shumë serioze!

vovalbania December 09, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Gjendja në veri të Kosovës, BE-ja e shqetësuar: Shumë serioze!

Situata në veri të Kosovës, Bashkimi Europian i shqetësuar për tensionet e ditëve të fundit. Një burim i rezervuar u shpreh se kjo është shumë serioze dhe rezultat i përshkallëzimit që shihet javët e fundit. Po ashtu e cilësoi vërejtje për mënyrën si veprimet e të dyja palëve çojnë te kjo situatë.

Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit, EULEX, po ndihmon Policinë e Kosovës, pas dorëheqjeve masive të serbëve. Italia dërgoi përforcime para disa javësh. EULEX-i është i dyti që reagon për ruajtjen e sigurisë duke ndihmuar Policinë e Kosovës, por ky mision nuk mund të kompensojë 100 për qind hapësirën boshe të krijuar me largimin e policëve me përkatësi etnike serbe.

Ndërkohë, një efektiv i Policisë së Kosovës u plagos rreth mesnate në veri nga një sulm i armatosur. Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ndodhi në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit. I lënduari u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore ndërsa vazhdojnë hetimet. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendimi i policisë për të shtuar praninë në veri, ka për qëllim “sigurimin e qytetarëve”.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç kundërshtoi:

Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, të cilën Kosova dhe Serbia e nënshkruan me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian në vitin 2013. Serbia do të shqyrtojë dërgimin e 1 mijë forcave të saj të sigurisë në Kosovë.

Në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan e Zubin Potok pritet të zhvillohen zgjedhje vendore të jashtëzakonshme më 18 dhjetor. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre.

Përfaqësuesit e saj dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri. Dorëheqje paraqitën edhe të tjerë zyrtarë serbë në veri, në nivel lokal e qendror. Për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49207 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE