Mashtrime në BE përmes Call Center-ave, lëshohen 15 urdhër-arreste në Tiranë/Dëmi 5 milion euro!

vovalbania December 11, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Mashtrime në BE përmes Call Center-ave, lëshohen 15 urdhër-arreste në Tiranë/Dëmi 5 milion euro!

Gjykata e Tiranës firmosi urdhër-arreste për 15 administratorë të Call Center-ave në kryeqytet, të dyshuar se mashtronin qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian me kërkesën për të investuar me shuma të vogla e në këmbim të fitimit. Sipas policisë, dëmi nga mashtrimet rezulton 5 milion euro, ndërsa deri tani është arrestuar vetëm njeri prej tyre, A. L., 30 vjeç. Nëntë prej 15 administratorëve janë italianë, të cilët bashkë me një tjetër shqiptar rezultojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, referuar kontrollit në sistemin TIMS.

Tiranë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarive kriminale që kryhen nëpërmjet call center-ave, me qëllim përfitimin. Operacioni policor i koduar “Transferta”, si rezultat i një hetimi tremujor, me metoda speciale, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Hetimin Tatimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Mashtronin qytetarët e BE-së, nëpërmjet 15 subjekteve call center, për të bërë transferta parash drejt Shqipërisë, me vlerë totale rreth 5 milionë euro, Gjykata cakton masa sigurie për 15 shtetas, nga të cilët 9 shtetas italianë dhe 6 shtetas shqiptarë. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, të DVP Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale të kryera nëpërmjet subjekteve call center, mbështetur nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me Hetimin Tatimor, referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila regjistroi procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Bazuar në provat e siguruara nga hetimi tremujor, me metoda speciale, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg“, për 15 shtetas, nga të cilët 9 shtetas italianë dhe 6 shtetas shqiptarë. Në zbatim të vendimit të Gjykatës për ekzekutimin e masave të sigurisë, si rezultat i verifikimeve të kryera në sistemin TIMS, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, të DVP Tiranë, ka rezultuar se 9 shtetasit italianë dhe 1 shtetas shqiptar, nuk ndodhen në Shqipëri.

Ndërkohë, nga kontrollet e kryera në banesat e shtetasve shqiptarë, ndaj të cilëve Gjykata e Tiranës ka caktuar masa sigurie, shërbimet e Policisë kapën dhe ndaluan shtetasin A. L., 30 vjeç, banues në Tiranë. Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e 4 shtetasve të tjerë shqiptarë, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”. Gjithashtu, po bashkëpunohet edhe me homologët italianë, për kapjen e 9 shtetasve italianë dhe të një shtetasi shqiptar, autorë të dyshuar për këtë veprimtari kriminale, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”. Me qëllim ruajtjen e konfidencialitetit të hetimit, nuk mund të bëjmë të ditura gjeneralitetet e shtetasve ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie. Operacioni policor “Transferta” vijon.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49439 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE