Ndërprenë rrugëtimin në “Katar 2022”, por dy lojtarë anglezë adoptuan maçokun Dave!

vovalbania December 12, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ndërprenë rrugëtimin në “Katar 2022”, por dy lojtarë anglezë adoptuan maçokun Dave!

Anglia u mund nga Franca dhe nuk mundi të provojë emocionet e gjysmëfinales se të finales jo e jo, në këtë Botëror të Futbollit “Katar 2022”, një edicioni që bukurinë e ka edhe te të papriturat. Pas humbjes përballë kundërshtarit cilësor, futbollistët e Anglisë u kthyen në shtëpi, por jo duarbosh. Kur u larguan nga baza stërvitore në Al Wakrah, mbrojtësit Kyle Walker e John Stones, të cilët startuan për skuadrën e Gareth Southgate në humbjen 1-2 të së shtunës me Francën, u miqësuan me një maçok endacak.

Gjithçka ndodhi gjatë qëndrimit të tyre katërjavor në Katar. Stones i vendosi emrin Dave, ndërsa Walker bëri të ditur se ata kishin në plan ta adoptonin macen e ta kthenin në shtëpi në Angli, por vetëm nëse Tre Luanët triumfonin përfundimisht. Pavarësisht se ëndrra përsëri nuk u bë realitet, duket se lojtarët ishin aq të lidhur me maçokun Dave sa e patën të pamundur për t’i dhënë lamtumirën e fundit kur u larguan nga Al Wakrah.

Maçoku që po përgatitet të nisë një jetë të re në Angli, u transportua në një klinikë veterinare në Katar për teste e vaksinime. Po ashtu do të kalojë katër muaj në karantinë përpara atij që supozohet se është një transferim falas në Manchester City apo nën kujdesin e Stones ose Walker-it, të cilët që të dy luajnë për kampionët e Premier League-ës. Stones u shpreh:

Dave është i mirëpritur. Disa njerëz vërtet nuk i pëlqejnë macet, por unë e dua atë. Çdo natë ai është duke pritur për ushqimin e tij.

Walker u pyet nga gazetarët për maçokun fatlum dhe që pak kohë më parë ishte përfshirë në një zënkë me një mace rivale, por me siguri do të kenë patur arsye të forta…

Dave është mirë, faleminderit që pyetët!

Por, Dave nuk është maçoku i vetëm që ka rrëmbyer vëmendjen e mediave në Katar. Para humbjes në çerekfinale ku u mundën nga Kroacia, konferenca për shtyp e Brazilit u pushtua nga një mace që u ul para kamerave pranë sulmuesit Vinicius Junior.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48582 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE