Vuçiç i hedh “benzinë zjarrit”: Pas 15 dhjetorit kërkojmë dërgimin e forcave tona në Kosovë!

vovalbania December 12, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Vuçiç i hedh “benzinë zjarrit”: Pas 15 dhjetorit kërkojmë dërgimin e forcave tona në Kosovë!

Pas datës 15 dhjetor, pra këtë të enjte, Beogradi zyrtar do t’i kërkojë komandantit të KFOR-it të dërgojë deri në 1 mijë forca të sigurisë serbe në Kosovë. Kjo u bë e ditur sot nga presidenti Aleksander Vuçiç ndërsa në kushtet e tensioneve në veri, deklarata i hedh më shumë benzinë zjarrit. Prej të enjtes së kaluar, Serbia paralajmëroi një gjë të tillë, bazuar në Rezolutën 12-44 të Kombeve të Bashkuara.

Me këtë paralajmërim, iu përgjigj pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në veri. Acarimet nisën me dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës, muajin e kaluar.

Për “arsye familjare”, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, anuloi vizitën në Kosovë. Pritej që Chollet dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot pasdite të takonin drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës. Për nesër në mëngjes planifikoheshin takimet me përfaqësues të partive politike. Në një njoftim të Qeverisë së Kosovës u theksua se kryeministri Albin Kurti do të presë vetëm Escobarin.

Situatë e qetë në dukje, por rrugët vijojnë të bllokuara në veri të Kosovës. Kamionë të mëdhenj e autobusë qëndrojnë në fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit, në aksin që çon drejt Jarinjës, pikë kufitare me Serbinë. Në hyrje të barrikadës u vendos edhe një shirit me ngjyra të kuqe e të bardhë, për të bllokuar kalimin në anën tjetër të saj.

Bllokimi vijon prej tre ditësh dhe u nxit nga arrestimi i një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës. Dejan Pantiç u prangos si i dyshuar për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri, si dhe ndaj atyre policorë. Zgjedhjet në katër komuna serbe të mbetura pa kryetarë pas dorëheqjeve të nëntorit u shtynë e nuk do të mbahen më 18 dhjetor, por në prill të vitit të ardhshëm.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49647 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE