Pas firmosjes, sot dorëzimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE!

vovalbania December 15, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Pas firmosjes, sot dorëzimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE!

Në kryeqytetin e Çekisë, Pragë, sot Prishtina zyrtare dorëzon aplikimin për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe që u firmos dje, në një moment të cilin presidentja Vjosa Osmani e përshkroi si “historik”. Çekia është vendi që aktualisht mban presidencën e radhës së bllokut europian, deri në fund të muajit. Presidentja Osmani shtoi se “për Kosovën, asnjëherë nuk ka patur alternativë tjetër përveç BE-së”.

Siç pritej, dje liderët shtetërorë nënshkruan aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian. Në dokument, firmat i hodhën presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti. Ky zhvillim shënohet në mesin e tensioneve në veriun e Kosovës me shumicë serbe e ku serbët lokalë mbajnë barrikada në rrugë, duke bllokuar akset që çojnë për në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak.

Kryetarja e shtetit, Osmani e cilësoi “historik” siglimin e aplikimit të anëtarësimit në bllokun europian.

Po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive e ambicies sonë të patjetërsueshme. Aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Europian është një hap drejt përmbushjes së ambicieve europiane të Kosovës. Sot, Kosova është mishërim i vlerave mbi të cilat u ndërtua Bashkimi Europian dhe frymon me shpirtin europian. Shteti e meriton të jetë pjesë e BE-së. Rruga jonë përpara është e qartë, procesi i anëtarësimit në BE nuk është i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë. Por, ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses.

Deri më tani, Kosova ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Nga 27 shtetet anëtare të bllokut, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ato janë: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllok, pasi deri tani kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria gjatë këtij viti nisën procesin e bisedimeve, ndërsa Bosnjë-Hercegovina mori statusin e vendit kandidat. Po ashtu, kujtojmë se Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk ka përfituar nga liberalizimi i vizave me Bashkimin Europian.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48671 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE