Një 48-vjeçare ndërroi jetë në Bashkinë Lushnjë, bashkia hedh poshtë variantin se u dëbua forcërisht!

vovalbania December 29, 2022 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Një 48-vjeçare ndërroi jetë në Bashkinë Lushnjë, bashkia hedh poshtë variantin se u dëbua forcërisht!

Një 48-vjeçare e identifikuar si Shpresa Cani dje humbi jetën në mjediset e Bashkisë Lushnjë. Për gruan me banim në Çanakaj të njësisë Fiershegan u tha se shkoi në zyrën e shërbimit social, për të kërkuar informacion se përse u hoq nga lista e përfituesve të ndihmës ekonomike. Jo zyrtarisht, u raportua se pati debate me punonjës që e nxorën forcërisht. Por, Bashkia Lushnjë i hedh poshtë këto informacione.

Referuar qytetarit dixhital, kryetari demokrat Berisha shkruan:

Të dashur miq, qytetari dixhital informon se gjendja shëndetësore e Shpresa Canit u rëndua pas debatit me punonjëset e Bashkisë Lushnje. Fillimisht 48 vjeçarja, Shpresa Cani ka debatuar me drejtoreshen e drejtorisë së ndihmës ekonomike, Anila Çela, bashkëshorte e deputetit Bujar Çela i PS-së, ku i është refuzuar përgjigje dhe zgjidhje për problemin e saj.

Pas debatit, 48 vjeçarja ka kërkuar takim me kryebashkiaken Eriselda Sefa, duke arritur të shkojë deri në paradhomën e kryebashkiakes. Aty është tentuar të nxirret me forca nga Policia Bashkiake, ku dhe është ndjerë keq dhe ka ndërruar jetë.

48 vjeçarja, Shpresa Cani kishte shkuar në Bashkinë e Lushnjes për t’u ankuar për heqjen e ndihmës. Cani ishte në kushte të vështira ekonomike por edhe shëndetësore.

Bashkia Lushnjë hedh poshtë variantin e Berishës dhe atë që qarkullon në media e bën një sqarim të gjatë:

Bashkia e Lushnjës përmes Kryetares se Bashkisë Eriselda Sefa nisur nga informacioni jo i verifikuar dhe abuziv i shpërndarë në media lidhur me ndarjen nga jeta të shtetases Shpresa Cani, 48 vjeçe, banuese në Çanakaj të Njësisë Fiershegan, dëshiron të sqarojë opinionin publik, duke i shprehur fillimisht ngushëllimet më të sinqerta familjes Cani. Sa i përket ngjarjes, sqarojmë se të mërkurën rreth orës 11:00 pranë Zyrës së Informacionit është paraqitur shtetesja Shpresa Cani e cila kërkoi takim me Kryetaren e Bashkisë Eriselda Sefa.

Pak minuta më vonë Kryetarja e Bashkisë priti në zyrë të interesuarën e cila ishte e përfshirë që nga viti 2007 në kategorinë PAK si Invalide e plotë nga KMCAP me diagnoze Drepanocitoze Hemozigote (sëmundje gjaku), me pagese mujore 11 915 lekë. Shtetesja Shpresa Cani deklaroi që jetonte vetëm me babain dhe kërkoi nga Bashkia që përveç trajtimit me KEMP nga KMCAP, të gjendej një mundësi për ndihme shtesë për të dhe babain e saj edhe nga ky institucion.

Pasi dëgjoi shqetësimin e Zonjës Cani, Kryebashkiakja Sefa thërriti Drejtoreshën e Shërbimit Social pranë bashkisë Lushnje për të parë mundësinë e ndihmës shtesë nga buxheti bashkiak, përveç pagesës së invaliditetit. Pati një dakortësi që në janar të shihej mundësia për ta futur në skemat e ndihmës nga buxheti bashkiak, mirëpo në një moment Zonja Cani është ndjerë keq. Menjëherë është njoftuar ambulanca dhe shefi i Komisariatit Lushnjë, z.Edvin Ndreu. Ambulanca mbërriti brenda pak minutash në ambientet e Bashkisë duke transportuar pacienten drejt Spitalit dhe pak çaste më vonë mbërritën edhe efektivet e komisariatit Lushnjë.

Bashkia e Lushnjës përmes Kryetares së Bashkisë përgënjeshtron dhe shpreh keqardhje për informacionet abuzive të shpërndara në media lidhur me dinamiken e ngjarjes.  Në ambientet e bashkisë Lushnje dhe aq më pak në zyrën e kryebashkiakes, nuk ka pasur asnjë debat mes Zonjës Cani dhe përfaqësuesve të Bashkisë, përkundrazi pati gatishmëri për të dhënë ndihmë shtesë për të interesuarën. Sqarojmë gjithashtu që Zonja Cani është trajtuar me ndihma emergjente sipas programeve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.

Sjellim në vëmendje të mediave dhe të opinionit publik se e ndjera Shpresa Cani nuk ka qënë e trajtuar me ndihme ekonomike (sikurse publikuan disa media) pasi ajo trajtohej me pension invaliditeti! Përsa më sipër, duke shprehur keqardhje mbi dezinformimin mbi ngjarjen, lutemi që mediat të jene serioze dhe të mos abuzojnë me informacionin e publikuar, aq më tepër që përpara publikimit të lajmeve nuk ka pasur asnjë kontakt për të dëgjuar zyrtarisht reagimin e Bashkisë për këtë ngjarje.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48643 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE