Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, presidenca suedeze nis konsultimet!

vovalbania January 09, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, presidenca suedeze nis konsultimet!

“Presidenca suedeze e Bashkimit Europian ka nisur konsultimet me vendet anëtare lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE dhe në këtë moment nuk dëshiron të paragjykoj se cilat do të jenë rezultatet e këtyre konsultimeve”. Kjo u theksua në Bruksel nga ambasadori i Suedisë në BE, Lars Danielson, i cili personalisht nisi konsultimet në cilësinë e kryesuesit të radhës së Unionit. Në një takim me gazetarë të akredituar në Bruksel, shpalosi prioritetet që do të ketë Suedia gjatë kryesimit me Këshillin e BE-së.

Ne po konsultohemi me shumë shtete, për të parë si do të vendosim rreth kësaj kërkese. Kemi pesë vende që nuk e njohin Kosovën dhe është e natyrshme që së pari të konsultohem me to. Tashmë me disa jam takuar dhe po vazhdojmë takimet.

Përfaqësuesi i përhershëm i Suedisë në BE vuri në dukje se “vendimi për mënyrën si do të veprohet me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE është procedural, por edhe politik”.

Eshtë një vendim procedural, por ka një rëndësi të madhe politike. Nuk dua t’i paragjykoj rezultatet e konsultimeve, por sapo të shoh se po ndërtohet konsensusi mes vendeve anëtare për formën si do të veprohet do të njoftoj vendet anëtare. Kemi dy alternativa: T’ia kalojmë apo mos t’ia kalojmë Komisionit. Por, po punojmë me shumë vullnet në këtë dosje.

Sipas procedurave të BE-së, pasi një shtet aplikon për anëtarësim, Këshilli kërkon nga Komisioni Europian që të përpilojë mendimin nëse i përmbush apo jo aplikuesi kushtet për statusin e kandidatit dhe lidhur me nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Kërkesën formale për anëtarësim në BE, Kosova e dorëzoi më 15 dhjetor. Presidenca e atëhershme çeke nuk pati kohë ta shqyrtojë, por vetëm njoftoi vendet anëtare për dorëzimin e saj. Tashmë, dosja është në duart e Presidencës Suedeze që po konsultohet mbi mënyrën si të vendosë. Pas Suedisë, presidencën e radhës së BE-së e ka Spanja, një vend anëtar i cili nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48748 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE