Gjermania nën presion për tanket në Ukrainë!

vovalbania January 19, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Gjermania nën presion për tanket në Ukrainë!

Po rritet presioni mbi Gjermaninë për të furnizuar Ukrainën me tanke, ndërsa gjatë një fjalimi online presidenti Volodymyr Zelensky kritikoi hezitimin për dërgimin e armëve të rënda në vendin e pushtuar.

Ka raste kur nuk duhet të hezitojmë. Unë nuk mendoj se kjo është strategjia e duhur.

Zelensky i ka kërkuar Gjermanisë që të dërgojë tanke luftarake “Leopard 2”. Por, deri më tani kancelari gjerman, Olaf Scholz u ka rezistuar thirrjeve, duke thënë se ai duhej të ndiqte hapat e aleatëve të NATO-s, përkatësisht SHBA-ve.

Qeveria gjermane do të përballet nesër me një presion të madh, kur aleatët të takohen në një bazë të Forcave Ajrore të SHBA-së në Ramstein, në Gjermaninë perëndimore për të diskutuar dërgesat e armëve në Ukrainë. Presioni në Berlin po vjen nga pothuajse të gjitha frontet. Në Kiev, kreu i zyrës së presidentit, Andriy Yermak, bëri thirrje sërish për dërgimin e tankeve në Ukrainë.

Çështja e tankeve për Ukrainën duhet të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur. E njëjta gjë vlente edhe për sistemet e tjera të mbrojtjes ajrore. Ne nuk kemi kohë, as bota nuk e ka atë kohë.

Kreu i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Christoph Heusgen, bëri thirrje që Gjermania të luajë një rol udhëheqës në shpërndarjen e tankeve të betejës.

Nëse dëshiron të drejtosh, kjo nuk do të thotë të ofrosh gjithmonë një ndihmë minimale. Ne duhet të ecim përpara dhe në fakt të ushtrojmë atë udhëheqje.

Ministri i Mbrojtjes i Estonisë, Hanno Pevkur i bëri thirrje sot, gjithashtu Gjermanisë dhe aleatëve të tjerë që të furnizojnë Ukrainën me sisteme moderne të armëve. Estonia mbështet fuqishëm sigurinë e Ukrainës me të gjitha pajisjet e nevojshme ushtarake për të fituar këtë luftë, duke përfshirë pajisjet e rënda si tanket Leopard.

Kjo duhet të bëhet në kohën e duhur. Rezultati i kësaj lufte do të përcaktojë të ardhmen e sigurisë sonë të përbashkët.

Polonia tha sot se mund të dërgonte në Ukrainë, disa nga tanket Leopard e saj të prodhimit gjerman edhe pa autorizimin e Berlinit. Gjermania, aktualisht nuk po miraton dërgesa të tilla nga vendet e treta, gjë që po shkakton zhgënjim mes aleatëve. Britania e Madhe ka njoftuar se do të dërgojë tanket e saj “Challenger 2” në vendin e rrethuar të Europës Lindore.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49303 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE