Pasanikët më të mëdhenj të Kinës mesa duket nuk do të jenë më të tillë, miliarderi Hui Ka Yan në krizë financiare!

vovalbania January 21, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Pasanikët më të mëdhenj të Kinës mesa duket nuk do të jenë më të tillë, miliarderi Hui Ka Yan në krizë financiare!

Vitet e fundit nuk kanë qenë shumë të mira për pasanikët më të mëdhenj të Kinës, sidomos për ata që e kanë ndërtuar këtë pasuri përmes tregut të pronave të paluajtshme, dikur tepër fitimprurës. Sipas Indeksit të Miliarderëve të revistës “Bloomberg”, pasuria neto e Hui Ka Yan, kryetarit të bordit drejtues të kompanisë së pasurive të paluajtshme “China Evergrande”, është pakësuar me 93%. Dikur ai ishte njeriu i dytë më i pasur në Azi.

Në vitin 2017 pasuria e tij arriti pikën më të lartë, 42 miliardë dollarë. Ndërsa sot, sipas “Bloomberg”, ai ka vetëm 3 miliardë. “Evergrande” është kompania kineze me më shumë borxhe të pashlyera, rreth 300 miliardë dollarë dhe ka qenë epiqendra e problemeve të Kinës me tregun e pasurive të paluajtshme që prej vitit 2021. Hui, i njohur edhe si Xu Jiayin, përdori pasurinë personale për të ndihmuar kompaninë e tij të tejkalonte problemet, duke shitur shtëpitë dhe avionët privatë.

Por kjo nuk mjaftoi dhe në dhjetor 2021, “Evergrande” nuk shleu këstin e kredisë që kishte marrë në dollarë, pavarësisht përpjekjeve për të mbledhur para nga investitorë të ndryshëm. Vitin e kaluar, kompania nuk arriti as të dorëzonte planin e ristrukturimit të borxhit, duke ngritur edhe më shumë pikëpyetje për të ardhmen e saj. “Evergrande” është një kompani gjigante, ka rreth 200 mijë punonjës, ka arkëtuar më shumë se 110 miliardë dollarë nga shitjet në vitin 2020 dhe ka në pronësi më shumë se 1300 prona në 280 qytete.

Prej kohësh, analistët kanë ngritur shqetësime se falimentimi i saj do të nisë një efekt domino në tregun kinez të pasurive të paluajtshme, duke dëmtuar pronarët e banesave dhe sistemin financiar në përgjithësi. Tregu i pasurive të paluajtshme dhe industritë që lidhen me të përbëjnë 30% të Prodhimit të Brendshëm Brudo të Kinës.

Rikujtojmë, se Yang Huiyan, aksionerja kryesore në gjigantin kinez të pasurive të paluajtshme ‘Country Garden’, ka parë rënien e vlerës së pasurisë së saj neto në 11.3 miliardë dollarë në vetëm një vit. Gruaja më e pasur e Azisë ka humbur më shumë se gjysmën e pasurisë së saj vitin e kaluar, ndërsa kriza që ka pllakosur tregun e pronave në Kinë po thellohet gradualisht.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49276 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE