Efekti “Big Brother VIP”/ Gjatë kohës që transmetohet reality-show, nuk ka krime, as aksidente!

vovalbania February 05, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Efekti “Big Brother VIP”/ Gjatë kohës që transmetohet reality-show, nuk ka krime, as aksidente!

Ajo që ndodh në shtëpinë e “Big Brother VIP”, padyshim që është më e ndjekura e më e komentuara në rrjetet sociale, si edhe në jetën e përditshme. Në lidhje me audiencën shumë të madhe të këtij spektakli ka mendime të ndryshme. Suksesi ka kaluar kufijtë e një spektakli në ekranin e televizorit e tani jemi përballë një fenomeni social që mund të quhet edhe si “Big Brother Mania”.

Për efektet e këtij formati të gjithë kanë diçka për të thënë, si ata që e shijojnë e argëtohen, por edhe ata që janë kundër. Por, të gjithë janë dakord në një pikë: Big Brother nuk lë askënd indiferent.

Top Channel ka mësuar se në një vrojtim të realizuar nga AKSHI, rezulton se pjesa më e madhe e administratës publike gjatë orarit të punës ndjek videot e shtëpisë së Big Brother. Ndërkohë që në shkolla, shpesh nxënësit zgjedhin të luajnë rolet e personazheve të shtëpisë më të vrojtuar si Luizi, Kiara apo Maestro.

Por, ka edhe një tjetër efekt social që ka shkaktuar ky format televiziv. Gjatë netëve të spektaklit, të martave e të shtunave, vërehet frekuentim më i ulët i lokaleve dhe një qarkullim më i lehtësuar i automjeteve. Të shtunën, teksa në ekranin e Top Channel transmetohej spektakli, rrugët në qendër të Tiranës ishin krejtësisht të zbrazura. Specialisti i trafikut urban, Gerhard Baka:

Kryesisht, të martën ka një reduktim masiv të trafikut. Lëvizjet janë të rralla, pothuajse rrugë të boshatisura. Nuk është ai aktiviteti i përditshëm rutinor që bëhet në Tiranë. Ndërsa e shtuna ka një reduktim, por pas orës 24:00 rinis lëvizja me qytetarët që dalin në lokalet e natës. Lehtësimi i trafikut ndikon drejtpërdrejt në punën tonë sepse na lejon të angazhohemi te kundravajtjet.

Po ashtu është vërejtur se gjatë netëve të spektaklit ka më pak ngjarje kriminale apo incidente me pasoja. Referuar buletinit të publikuar çdo 24 orë nga ana e Policisë së Shtetit ka rezultuar se gjatë të martës së kaluar numri i procedimeve është ulur gati 50% krahasuar me një ditë më parë. Konkretisht, gjatë të hënës më 30 janar për vepra të ndryshme penale u proceduan 123 persona, ndërsa gjatë të martës kur transmetohet spektakli i Big Brother, vetëm 87./ Top Channel

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 58473 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE