‘Aktivist1t’ bëhet ‘mollë sherri’! Rama: Padi kush ka nxjerrë të dhënat; lista e manipuluar! Opozita: Skandal! Pjesë prokurorë e gjyqtarë!

vovalbania February 08, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
‘Aktivist1t’ bëhet ‘mollë sherri’! Rama: Padi kush ka nxjerrë të dhënat; lista e manipuluar! Opozita: Skandal! Pjesë prokurorë e gjyqtarë!

Aplikacioni i socialistëve “Aktivist1t” ka shërbyer si “mollë sherri” mes mazhorancës dhe opozitës. Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se do të padisë cilin do që ka bërë publike listën e të dhënave të aktivistëve që janë bërë pjesë, për të cilën thekson se është e manipuluar. Rama i referohet një liste të publikuar në media, një dokument me 266 faqe që është shpërndarë nga persona që ende nuk dihet.

Kreu i qeverisë, tha se ky aplikacion është një mekanizëm komunikimi i brendshëm mes socialistëve dhe jo një mjet presioni ndaj punonjësve të administratës.

“Partia Socialiste do të ndjekë në rrugë ligjore nxjerrjen, manipulimin dhe fabrikimin e të dhënave të rrjetit social të aktivistëve të saj, i cili është lehtësisht i verifikueshëm si një mekanizëm komunikimi i brendshëm mbi bazën e vullnetarizmit të çdo përdoruesi. Çdo përpjekje e dëshpëruar propagandistike për të hedhur edhe më shumë baltë mbi PS thjesht na rrit dëshirën dhe na forcon vullnetin tonë në rrugën e një fitoreje tjetër kuptimplotë, më 14 maj, kur falë edhe rrjetit tonë social të aktivistëve, Partia Socialiste do të jetë shumë hapa përpara kundërshtarëve të çoroditur e të dëshpërua”, shkruan Rama.

Mirëpo, përkundrejt deklaratës së Ramës, aksioni opozitar i Sali Berishës dhe Ilir Metës u përqendrua ditën e sotme pikërisht në këtë aplikacion. Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e cilësoi si një skandal krijimin e “Aktivist1t” duke thënë se PS-së e përdor për shantazh ndaj administratës publike. Sipas Metës, punonjësit e administratës publike ku përfshihen edhe prokurorë dhe gjyqtarë, anëtarë të KLP dhe SPAK janë detyruar për t’u bërë pjesë e këtij aplikacioni që do të monitorojë pëlqimet dhe komentet që bëjnë në rrjetet sociale.

“Një tjetër skandal ka shpërthyer me të ashtuquajturin aplikacioni “Aktivisti” në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Mijëra punonjës të administratës publike, në shkelje të Kushtetutës e të ligjeve, si dhe në dhunim flagrant të lirive dhe të drejtave të tyre, janë detyruar nëpërmjet presioneve dhe shantazhit të bëhen pjesë e këtij aplikacioni që monitoron like-t, komentet dhe share në rrjetet sociale të postimeve të Edi Ramës dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë. Skandali bëhet edhe më i madh kur zbulohen se pjesë e listës së aplikacionit janë të paktën 40 prokurorë dhe 27 gjyqtarë, anëtarë të KLP, KLGJ, SPAK dhe të institucioneve të tjera kyçe të reformës në drejtësi, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit në Tiranë dhe qarqe, mjekë, infermierë dhe mësues, punonjës të tatimeve, doganave etj”, tha Meta.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe zëdhënësja e Partisë Demokratike Floriana Garo. Në një deklatatë për mediat, Garo tha se pjesë e listës së personave që kanë shkarkuar aplikacionin ‘Aktivisti’ të PS-së janë edhe emra të njohur që nga ish prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama e deri te Alfred Balla, anëtar i KLP. Garo shtpi se në këtë rast opozita nuk ka kujt t’i drejtohet për hetim për shkak se vetë prokurorët dhe gjyqtarët janë pjesë e këtij aplikacioni.

“Gjeni aty emra të njohur, që nga Ina Rama, ish-prokurorja dhe deri te Alfred Balla, i Këshillit të lartë të Prokurorisë, apo Irena Gjoka e Gjykatës së Posaçme. Gjykatësit dhe prokurorët nga rrethet janë të pafund. Kjo dëshmon edhe njëherë atë që është thënë nga kjo foltore qindra here: Reforma është bërë për partinë dhe jo Shqipërinë. Një vend të cilit gjyqtarët dhe prokurorët i shërbejnë si aktivistë partiakë është një republikë bananesh. Kujt t’i bësh thirrje në këtë rast? Tradita e ka që t’i drejtohesh drejtësisë që të hapë një hetim. Por jemi në rastin kur problemi është me prokurorët dhe gjyqtarët. Janë ata që kanë shkelur ligjin dhe kodet etike duke e bërë veten subjekt të mundshëm të drejtësisë. Kush i heton ata që duhet të hetojnë”-tha Garo.

Çfarë është aplikacioni?
Ky aplikacion u prezantua nga socialistët në dhjetor të 2022 duke u prezantuar si një “platformë që i jep mundësi çdo personi që ka ide dhe dëshirë të jetë pjesëmarrës në gara lokale ose kombëtare, të çojë përpara nismat e tij dhe të jetë faktor aktiv në komunitet”.

Shqiptarja.com krijoi një profil në këtë aplikacion ku në hyrje të saj të detyron të japësh disa të dhëna personale, adresën e-mail, numrin e telefonit, njësinë bashkiake ku jeton, adresën. Përpara se të marrësh të drejtat për të hyrë në aplikacion, secili përdorues kalon në një proces autentikimi./shqiptarja

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48813 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE