Paga minimale në Shqipëri, thellohet diferenca me rajonin!

vovalbania February 10, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Paga minimale në Shqipëri, thellohet diferenca me rajonin!

Ndonëse vazhdimisht po rritet, paga minimale në Shqipëri vijon të mbetet më e ulëta në vendet e Europës, që zbatojnë një politikë të tillë. Sipas të dhënave të fundit të përditësuara nga Eurostat, në fillim të vitit, kjo pagë ishte 297 euro/muaj, 17% më e ulët se e Maqedonisë së Veriut. Vendi fqinj është i dyti në Europë për nivelin më të ulët. Për këtë shtet, të dhënat janë të disponueshme për fundin e 2021-shit.

Në vendin tonë, tashmë paga minimale është 45% më e ulët se në Serbi, ku asnjë punonjës nuk merr më pak se 460 euro më 2023-in. Në Mal të Zi, paga minimale rezulton 533 euro.

Në krahasim me fillimin e 2018-ës, viti më i hershmi për të cilin Eurostat raporton të dhënat, diferenca mes pagës minimale të Shqipërisë dhe të tjera vendeve të rajonit që e zbatojnë këtë praktikë është thelluar ndjeshëm.

Në 6-mujorin e parë 2018, paga minimale në Shqipëri ishte 100 euro më e ulët se në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut e Serbi.

Në fillim të këtij viti, paga minimale në Serbi rezultoi 192 euro më e lartë se në Shqipëri. Ndërkaq, një punonjës në Mal të Zi minimalisht merr 234 euro më shumë se një i punësuar me pagë minimale në Shqipëri.

Dy vitet e fundit, Mali i Zi e ka rritur ndjeshëm pagën minimale, nga 331 euro në fund të 2021-shit në 532 euro aktualisht. Edhe në Serbi, paga minimale është 460 euro, nga 366 euro që ishte në fund të 2021-shit.

Të njëjtat diferenca edhe për pagat mesatare në rajon, ku mesatarisht punonjësit shqiptarë paguhen 40% më pak se në vendet e tjera të rajonit.

Aktualisht, paga minimale në vendin tonë është në nivelin e 34 mijë lekëve. Më herët, kur në Kuvend diskutohej Buxheti 2023, kryeministri Rama deklaroi se paga minimale do të arrijë në 36 mijë lekë në 6 mujorin e parë të vitit, ndërsa deri në fund të 2023-shit do të shkojë në 38 mijë lekë.

Do të rrisim edhe një herë tjetër nivelin e pagës minimale, që e kemi rritur dy herë këtë vit. Do e çojmë në 36 mijë lekë të reja, me synimin që ta rrisim edhe një herë në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm, do e çojmë në 38 mijë lekë të reja.

Për herë të fundit, paga minimale u rrit shtatorin e kaluar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE