Emërohet drejtuesja e re e institucionit që do të prodhojë pasaportat, ndryshon edhe tarifa

vovalbania April 13, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Emërohet drejtuesja e re e institucionit që do të prodhojë pasaportat, ndryshon edhe tarifa

Loina Prifti është drejtuesja e re e cila do të jetë në krye të institucionit që do të prodhojë pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit. Ky institucion nuk do të njihet më me emrin “Aleat”, por “IdentiTek”. Prifti pritet të marrë detyrën e re në datën 1 gusht, datë ku firmës private “Aleat” i përfundon kontrata për prodhimin e dokumenteve biometrike me shtetin shqiptar, të lidhur që në vitin 2008.

Një nga ndryshimet që kjo agjenci do të realizojë sapo të kthehet nën administrimin shtetëror do të jetë ulja e tarifave si për kartat e identitetit dhe pasaportat, por akoma nuk janë përcaktuar pasi janë në diskutim. Sa i takon logjistikës dhe infrastrukturës mësohet se shoqëria aksionere “IdentiTek” do të mbajë të njëjtat zyra, pajisje dhe punonjës që ka deri më sot “Aleat”, përfshirë edhe mbajtjen e lidhjeve me kompaninë “Idemia” në Francë.

Loina Prifti prej vitesh jeton dhe punon në Gjermani ku ka marrë edhe shtetësi gjermane. 35-vjeçarja aktualisht punon në Katedrën e  Informacioneve në Universitetin Teknik të Mynihut dhe merret me inteligjencën artificiale. Këshilli i Ministrave më 14 shkurt i hapi rrugë krijimit të kompanisë shtetërore për prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit. Krijimi i kësaj kompanie do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 20 000 000 lekë. Aktualisht, shqiptarët, për të prodhuar një pasaportë personale duhet të paguajnë 7,500 për një afat 15 ditor, ndërsa në një afat të përshpejtuar në vetëm 2 apo 3 ditë duhet të paguajnë 18,000 lekë, ndërsa për prodhimin e kartës së identitetit duhen 1,500 lekë.

Kompania shtetërore do ofrojë kundrejt pagesës shërbimin e prodhimit dhe shpërndarjes së: a) letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike; b) dokumentit biometrik (leje qëndrimi për të huajt për çdo motiv me përjashtim të lejes provizore dhe humanitare); c) letërnjoftimit elektronik për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese; ç) dokumentit të udhëtimit për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese; d) çdo dokumenti tjetër biometrik që lëshon Ministria e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49679 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE