Tajfuni Doksuri godet Kinën me erëra të forta dhe shi!

vovalbania July 28, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tajfuni Doksuri godet Kinën me erëra të forta dhe shi!

Tajfuni Doksuri godet pjesën lindore të Kinës duke sjellë erëra të forta e reshje të dendura shiu në zonat bregdetare. Tajvani i ka shpëtuar kësaj stuhie vdekjeprurëse që paraprakisht përfshiu Filipinet. Shpejtësia e erës shkoi deri në 175 kilometra në orë, ndërsa stuhia arriti në brigjet e provincës Fujian rreth 10:00-ës së mëngjesit sipas orës lokale.

Frika që banorët mund të rrezikohen dhe pronat t’iu shkatërrohen, bëri që Observatori Kombëtar i Motit të vendosë “alarmin e kuq”, me masat më të ashpra në sistemin e tij. Disa foto të shpërndara në rrjete sociale tregonin erëra të fuqishme që godisnin blloqet e godinave të banimit në Jinjiang, zonë urbane në jug të qytetit Quanzhou.

Pamjet e drejtpërdrejta të transmetuara nga CCTV, shfaqën një gazetar që kalonte në rrugët e përmbytura, të rrethuara nga disa pemë të rrëzuara, duke paralajmëruar qytetarët në atë zonë për të qëndruar në shtëpi përveç lëvizjeve për raste urgjente.

Ndërkohë, disa video ku shiheshin dallgë të mëdha në bregdet u postuan në platformën Ëeibo nga People’s Daily, të mbështetur nga autoritetet kineze.

Tajfuni i fuqishëm Doksuri pritet të vazhdojë të lëvizë në veriperëndim drejt Kinës qendrore ndërsa intensiteti i tij gradualisht dobësohet.

Por, agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua raportoi se stuhitë do të prekin “rajonet bregdetare të Tajvanit, Fujian, Zhejiang e Guangdong” deri në 08:00 të mëngjesit të së shtunës, sipas orës lokale.

Pushteti lokal dhe autoritetet e transportit u këshilluan të marrin masa paraprake pasi sistemet e kullimit dhe rrugët pritet të ndikohen nga shirat e dendur.

Doksuri goditi pjesën veriore të Filipineve më 26 korrik, duke rrëzuar pemë e shtylla të energjisë, si dhe shkaktoi ndërprerje të shumta të energjisë elektrike, rrëshqitje të dherave e përmbytje.

Në Filipine, numri i viktimave është rritur në 13, me 21 të tjerë që ende rezultojnë të zhdukur, përfshirë katër pjesëtarë të rojës bregdetare, siç raporton Agjencia Kombëtare për Menaxhimin e Fatkeqësive.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50259 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE