Kosovë, arrestohet një i dyshuar për krime lufte!

vovalbania August 05, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kosovë, arrestohet një i dyshuar për krime lufte!

Nën dyshimet për përfshirje në krime lufte gjatë viteve 1998-1999, Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një qytetar serb, të cilit i jepen inicialet M.P. Një natë më parë ai u prangos në Merdarë, në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Bëhet e ditur se në periudhën e luftës në Kosovë, ai shërbente si kryeshef i policisë serbe në komunën e Istogut, rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Arrestohet një i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile

Prishtinë, më 4 gusht 2023

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, nën autorizimet e Prokurorit të Shtetit në Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, për një periudhë kohore kanë zhvilluar veprime hetimore, mbledhje të dëshmive e provave dhe identifikimin e kryerësve të veprave penale të krimeve të luftës.

Këto hetime kanë qenë të përqendruara rreth zbulimit të autorëve të krimeve të kryera në periudhën 1998-1999 në rajonin e komunës së Istogut.

Në vazhdën e angazhimeve hetimore është arritur të mblidhen dëshmi dhe prova për krimet dhe kryesit e këtyre veprave penale. Hetuesit policorë kanë pranuar dhe përpunuar informata të shumta operative në drejtim të identifikimit, vendndodhjes dhe lokalizimit të të dyshuarit, aktivitetit dhe lëvizjeve të tij, në dhe jashtë territorit të Kosovës.

Procesi hetimor është ndihmuar nga zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë me të cilët është bashkëpunuar ngushtë në një punë ekipore, ku është bërë përpunimi inteligjent i informatave. Nga bashkërendimi i aktiviteteve është bërë e mundur të identifikohet një i dyshuar për krime lufte, i cili në kohën e luftës 1998-1999 ishte krye-shef i milicisë në Istog.

I dyshuari M.P., është arrestuar sot, më 04.08.2023, në ora 18:05, në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare. Me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

Policia njoftoi edhe se të arrestuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, por nuk dha më shumë hollësi për identitetin e as veprat për të cilat është i dyshuar.

Mbi 10 mijë vetë u vranë dhe më shumë se 5 mijë llogariteshin të zhdukur në fund të luftës në Kosovë, luftë e cila mori fund me ndërhyrjen e forcave të NATO-s, që u dhanë fund mizorive të forcave serbe.

Nëntë vjet pas luftës, Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikes e të vendeve kryesore euro-perëndimore, por kundërshtohet nga Beogradi i mbështetur nga Moska.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48847 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE