Shorti për play-off i Conference League/Sot mësohen kundërshtarët e skuadrave shqiptare!
Sot pritet me interes ajo që ka rezervuar shorti për fazën play-off të Conference League-ës, pikërisht aty ku dhe po synojnë që të shkojnë tri skuadrat shqiptare që kanë arritur në raundin e tretë të kualifikueseve. Pritja merr fund në mesditë, atëherë kur të hidhet dhe shorti.
Partizani, Ballkani e Struga do të njohin kundërshtarët e mundshëm, që do të kenë përballë në sfidat e radhës.
Sipas formatit të përcaktuar, ekipet që vijnë nga Champions League do të ndeshen me njëri-tjetrin në këtë kompeticion.
Skuadrat kampione që do të kualifikohen nga turi i tretë i Conference League-ës do të përballen me ekipet kampione që do të eliminohen nga raundi i tretë i Europa League-ës.
Në të tilla kushte, në rast se kualikifikohen, skuadrat shqiptare do të ndeshen me një prej atyre që do të eliminohen nga çiftet Žalgiris-BK Häcken, Qarabağ-Helsinki, Zrinjski Mostar-Breidablik, Sheriff Tiraspol-BATE Borisov dhe Astana-Ludogorets.
Kujtojmë se ndeshjet e play-off-it të Conference League-ës do të luhen në datat 24 e 31 gusht, si dhe do të vijnë në ekranin e SuperSport/DigitAlb.