Ligjvënësi amerikan, Don Bacon: Spiunët kinezë më hakeruan emailet!

vovalbania August 16, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ligjvënësi amerikan, Don Bacon: Spiunët kinezë më hakeruan emailet!

Anëtari republikan i Dhomës amerikane të Përfaqësuesve, Don Bacon, tha se u paralajmërua nga FBI-ja se emailet e tij ishin hakeruar nga spiunët kinezë. Ligjvënësi shkroi në rrjetin social X se kishte mësuar se Partia Komuniste Kineze kishte akses në emailet e tij private dhe të fushatës për rreth një muaj, deri më 16 qershor. Lajmi u raportua fillimisht nga gazeta “Washington Post”.

Hakerimi ndodhi si rezultat i një dobësie në programin Microsoft, tha Bacon, një referencë e qartë ndaj fushatës së hakerimit të zbuluar nga firma Microsoft muajin e kaluar, gjatë së cilës thuhet se u vodhën qindra mijëra emaile të zyrtarëve të lartë amerikanë, mes tyre Sekretares së Tregtisë, Gina Raimondo dhe ambasadorit amerikan në Kinë, Nicholas Burns.

Rrjeti CNN raportoi më parë se hakerimi i llogarive të postës elektronike të anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve ishte pjesë e së njëjtës fushatë të njoftuar nga firma Microsoft.

Një zëdhënës i ambasadës kineze deklaroi se lajmi pa baza synonte të njolloste Pekinin, duke shtuar se qeveria amerikane ka dëmtuar sovranitetin e Kinës me shitjen e armëve Tajvanit, një ishull i vetëqeverisur ndaj të cilit shteti kinez ka pretendime.

Një zëdhënës i ligjvënësit Bacon tha se FBI-ja i kishte komunikuar atij se hakerët kinezë i komprometuan emailin dhe i vodhën informacione personale bankare, të dhëna mbi strategjinë politike e mbledhjen e fondeve për fushatën.

I zgjedhur në Kongres Amerikan në vitin 2016, Don Bacon ka shërbyer edhe si gjeneral brigade në Forcat Ajrore e aktualisht shërben në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Forcat e Armatosura, që ndihmon në përcaktimin e buxhetit vjetor për ushtrinë amerikane, si dhe shpenzimet.

Kongresmeni ka të ngjarë të jetë vënë në shënjestër, sipas zëdhënësit të tij, për shkak të mbështetjes publike për Tajvanin dhe komenteve kritike në lidhje me trajtimin e komunitetit ujgur nga Pekini zyrtar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50785 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE