Shkëmbenin drogë në det, goditet grupi i trafikantëve në Kurbin/6 të arrestuar!

vovalbania August 16, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Shkëmbenin drogë në det, goditet grupi i trafikantëve në Kurbin/6 të arrestuar!

Një megaoperacion ndërkombëtar antidrogë i koduar “Flakë në det” u finalizua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me SPAK-un dhe Guardia di Finanza-n italiane. Numri 2 i Policisë, Sokol Bizhga tha se u parandalua dhe u godit një tentativë për të trafikuar lëndë narkotike. Aksioni nisi mbrëmjen e 14 gushtit dhe u përmbyll dje pasdite, në orën 18:00. U arrestuan 6 persona, 4 shqiptarë dhe dy ukrainas, përfshirë një ish-zyrtar policie. Ata akuzohen për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizatat kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municioneve luftarake”.

Në këtë kuadër, bazuar në inteligjencën policore, u finalizua operacioni “Flakë në det”. Në operacion u përfshinë efektivë dhe mjete të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, si dhe Reparti Special “RENEA”. Operacioni i zhvilluar nga Policia e Shtetit, është koordinuar dhe mbështetur nga Guardia di Finanza, Interforca italiane në Shqipëri dhe Frontex.

Operacioni filloi pas njoftimit të strukturave monitoruese në terren, për lëvizjen me shpejtësi të një mjeti lundrues, nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin. Ky mjet lundrues është afruar pranë një tjetër mjeti lundrues tip velierë dhe më pas shtetasit që ishin në këto mjete lundruese, shkëmbyen lëndë narkotike. Në operacion u përfshinë avionët e Frontex-it dhe të GDF-së, ndërsa nga deti u përfshinë mjetet e Policisë Kufitare e të GDF-së, që bënë rrethimin e velierës.

Shtetasit që ndodheshin në velierë, sapo konstatuan se ishin rrethuar nga Policia i vunë zjarrin mjetit lundrues dhe tentuan të largohen me një barkë të vogël shpëtimi, por u kapën në flagrancë. Në të njëjtën kohë me ndërhyrjen nga deti, efektivët e Repartit Special “RENEA” ndërhynë nga toka, në ambientet e një restoranti në lagunën e Patokut, ku po qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike. Gjithashtu, në vijim të këtij operacioni policor, u shoqëruan në ambientet e DVP Tiranë, 2 shtetasit ukrainas, të kapur në afërsi të velierës.

Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me SPAK-un, u bë arrestimi për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizatat kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municioneve luftarake”, shtetasit: A.I., 47 vjeç, banues në Tiranë; A.M., 37 vjeç, banues në Tiranë; N.Ç., 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç; B.B., 51 vjeç, banues në Vlorë; K.P., 39 vjeç, banues në Ukrainë; K.B., 44 vjeç, banues në Ukrainë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 2 armë zjarri pistoleta, të markave “Glock” dhe “Zastava”; 200 fishekë pistolete model 54; një automjet tip “Audi”; 4 aparate DVR për ruajtjen e pamjeve filmike; 45 000 euro, 250 000 lekë, 500 paund, 50 franga, 2 000 lira, 25 celularë; sasia 23 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e gjetur në afërsi të velierës së djegur; 1 mjet lundrues tip gomone, bashkë me GPS-in. Ndërsa mjeti lundrues velierë është zhytur në thellësinë rreth 150 metra, në detin Adriatik.

Ky operacion dëshmoi edhe njëherë vendosmërinë dhe profesionalizmin e Policisë së Shtetit, për të luftuar krimin e organizuar, si dhe partneritetin profesional, serioz e të sigurtë me homologët dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50362 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE