Vdekja e Prigozhin, Wagner kërcënon të marshojë drejt Moskës: “Putin të bëhet gati”!
Mercenarët e Wagner kanë kërcënuar të marshojnë drejt Moskës pas lajmit se kreu i tyre, Yevgeny Prigozhin ishte mes viktimave të avionit të rrëzuar një ditë më parë pranë kryeqytetit rus. Persona që kanë lidhje me Prigozhinin njoftuan në Telegram vdekjen e njeriut që tronditi Kremlinin me rebelimin e tij, ndërsa pretenduan se vdekja e ish-besnikut të bindur të Vladimir Putinit ishte shkaktuar nga “tradhtarë” brenda Rusisë.
Zyrtarë rusë po ashtu pohuan se Prigozhin gjendej në avionin e rrëzuar në një fushë, duke i marrë jetën të 10 personave në bord, vetëm dy muaj pas tentativës së dështuar për grusht shteti. Agjencia Federale ruse e Transportit Ajror publikoi një listë të atyre që besonte se ishin në avion, duke përfshirë Prigozhin dhe zëvendësin e tij Dmitry Utkin. Megjithatë, Keir Giles, nga think tank-u i njohur Chatham House me seli në Londër, u shpreh skeptik ndaj këtyre lajmeve.
Është njoftuar se një pasagjer me emrin Yevgeny Prigozhin ishte në bord, por është e ditur ndërkohë se disa individë kanë ndryshuar emrin e tyre në Yevgeny Prigozhin, si pjesë e përpjekjeve të tij për të mbuluar gjurmët e udhëtimeve të veta. Kështu që, të mos çuditemi nëse na shfaqet papritur në një video të re nga Afrika.
Vladimir Putini vetë ende nuk ka bërë asnjë koment, por mbrëmë presidenti rus ka marrë pjesë në koncert. Në Uashington zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson u shpreh se i kanë parë njoftimet dhe nëse konfirmohen, siç tha ajo, askush nuk duhet të habitet. Kaja Kallas, kryeministre e Estonisë, u shpreh gjatë një interviste për rrjetin televiziv CNN se:
Nëse është e vërtetë, kjo tregon se Putin do të eliminojë kundërshtarët dhe kjo frikëson këdo që mendon të shprehë mendime të ndryshme nga të tijat.
Edhe pse shkaku i aksidentit nuk është zbardhur ende, kanalet e mediave sociale ruse janë të mbushura me spekulime se një arkë me shishe vere të shtrenjta në bord, mund të ketë qenë në fakt maskimi për një bombë të vendosur atje. Në avionin, që po udhëtonte nga Moska në Shën Petersburg, ndodheshin shtatë pasagjerë dhe tre anëtarë ekuipazhi. Ka mjaft spekulime ndërkohë se Prigozhin mund ta ketë sajuar vdekjen e tij, pasi një avion i dytë i lidhur më Wagnerin, është diktuar nga radarët duke fluturuar mbi të njëjtin rajon Tzer, 60 milje në veri të kryeqytetit.