Armëpushim midis Azerbajxhanit dhe armenëve etnikë në Karabak!

vovalbania September 20, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Armëpushim midis Azerbajxhanit dhe armenëve etnikë në Karabak!

Azerbajxhani dhe armenët etnikë ranë dakord për një armëpushim të menjëhershëm, në ditën e dytë të luftimeve për territorin e Nagorno-Karabakut. Kjo pasi udhëheqja de facto e enklavës së banuar kryesisht me armenë etnikë pranoi propozimin e misionit paqeruajtës rus dhe ra dakord për bisedime lidhur me “riintegrimin” e territorit brenda Azerbajxhanit.

Ndalja e luftimeve intensive erdhi në kohën kur faktori ndërkombëtar shprehu shqetësim për zgjerimin e konfliktit, pas përshkallëzimit më vdekjeprurës ushtarak në pothuajse tre vjet.

Lëshimi erdhi disa orë pasi Azerbajxhani sinjalizoi synimin e tij që të vazhdojë operacionet ushtarake të nisura një ditë më parë në Nagorno-Karabak, duke kërkuar dorëzimin e forcave të armenëve etnikë, pavarësisht thirrjeve nga Kombet e Bashkuara, fuqitë perëndimore dhe Rusia, për të ndalur armiqësitë. Si pasojë e tyre, dhjetëra persona u vranë në 24 orët e fundit.

Të dyja palët u pajtuan për bisedime ditën e nesërme. Ato do të mbahen në qytetin azer Yevlaks, 265 kilometra në perëndim të Bakusë. Kryeministri armen, Nikol Pashinian, të cilin nacionalistët e fajësojnë për humbje gjatë luftës më 2020-ën, tha se është në dijeni për armëpushimin, por menjëherë distancoi qeverinë e tij nga kjo marrëveshje.

Armenia nuk ka marrë pjesë në hartimin e tekstit të armëpushimit në Nagorno-Karabak me ndërmjetësimin e paqeruajtësve rusë.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se po vazhdonte “me sukses” atë që e ka cilësuar si “operacion kundër terrorizmit”, duke shënjestruar sabotuesit.

Po për nesër është caktuar mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pas shpërthimit të dhunës në Karabak. Azerbajxhani dhe Armenia kanë zhvilluar dy luftëra për kontrollin e rajonit të shkëputur, me betejën e fundit që ishte para tre vjetësh.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kërkon që menjëherë të ndalen luftimet, të shtensionohet situata dhe të ketë respektim të rreptë të armëpushimit të arritur më 2020-ën, si dhe të ligjit humanitar ndërkombëtar.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken zhvilloi biseda telefonike me liderët e të dy shteteve. Blinken i bëri thirrje presidentit azer, Ilham Aliyev që t’i ndalë menjëherë operacionet ushtarake në Nagorno-Karabak, rajon që ndërkombëtarisht njihet si territor i Azerbajxhanit. Kryediplomati amerikan kërkoi edhe që Azerbajxhani t’i kthehet dialogut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE