Parandalohet vrasja në Durrës, 37-vjeçari kapet me armë zjarri me silenciator!

vovalbania October 01, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Parandalohet vrasja në Durrës, 37-vjeçari kapet me armë zjarri me silenciator!

Parandalohet vrasja me armë zjarri “Scorpion” me silenciator, dy të arrestuar në Durrës. Në pranga ranë Aldi Mustafa e Klevis Kurdiu. Sipas policisë, 37-vjeçari Mustafa u lokalizua ndërsa lëvizte i armatosur me një makinë “Benz” në lagjen nr.15 të qytetit bregdetar. Ai nuk iu bind urdhrit të efektivëve për të ndaluar e tentoi largimin, por u bllokua. Referuar njoftimit zyrtar, i dënuar më parë për disa vepra penale brenda e jashtë vendit, Mustafa po planifikonte vrasjen e një shtetasi. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Tentativa”, me të u prangos edhe 29-vjeçari Kurdiu, i cili udhëtonte si pasagjer.

Njoftimi zyrtar:

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, falë inteligjencës policore se një shtetas me precedent të theksuar kriminal po qarkullonte i armatosur dhe kishte planifikuar të kryente një vrasje, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe “Shqiponjat”, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Tentativa”.

Si rezultat, në lagjen nr.15, Durrës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me të cilin lëvizte shtetasi i armatosur dhe kanë ndërhyrë duke zbatuar të gjitha procedurat standarde për ndalimin e një automjeti.

Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi, por nuk ka mundur dot pasi është bllokuar nga shërbimet e Policisë.

Gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz” që drejtohej nga shtetasi Aldi Mustafa me pasagjer shtetasin K.K., policia gjeti një armë zjarri “Scorpion” me silenciator dhe municion luftarak.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Aldi Mustafa 37 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për disa vepra penale, brenda dhe jashtë vendit;

Klevis Kurdiu 29 vjeç, banues në Durrës.

Nga informacionet që kishte siguruar Policia, dyshohet se shtetasi Mustafa kishte planifikuar vrasjen e një shtetasi.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të policisë”.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49414 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE