Shifrat/ Çmimet e larta të ushqimeve frenojnë konsumin! Qytetarët: Të papërballueshme, s’na dalin të blejmë bukë! Tregtarët: Punojmë për të jetuar

vovalbania October 02, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Shifrat/ Çmimet e larta të ushqimeve frenojnë konsumin! Qytetarët: Të papërballueshme, s’na dalin të blejmë bukë! Tregtarët: Punojmë për të jetuar

Çmimet e larta të produkteve të shportës po ulin konsumin e qytetarëve. Edhe pse janë ushqimeve të domosdoshme, qytetarët thonë se po blejnë më pak, madje po shmangin blerjet e frutave ose perimeve që kushtojnë shumë.

“Për çmimet mos pyet, janë të papërballueshme.”- tha një qytetar.

“Çmimet janë shumë të shtrenjta. Shmangim disa blerje. Mishi dhe produktet e tjera janë shumë të shtrenjta. “- tha qytetari.

Nga janari deri në gusht të këtij viti produktet e bulmetit (djathë, qumësht, gjalpë) dhe vezët janë shtrenjtuar me 17.7% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa çmimet e perimeve janë rritur me rreth 16%, ndjekur nga mishi që kushton 11.9% më shumë, për të vijuar me bukën dhe drithërat që në raport me vitin e kaluar janë shtrenjtuar me 6.9%.

“Jashtëzakonisht të larta, nuk jetohet as një javë. Unë jam 76 vjeç marr gjithë ato ilaçe, dhe pensioni nuk të mjafton nuk del as për buke. Na thahet fyti për një frute. Po llogarisim gjithçka.”- tha ai.

Edhe pse në treg ende ka prodhim vendi, çmimet janë tepër të larta. Këtë të hënë domatet, specat, kungujt dhe trangujt kushtonin 100 deri në 120 lekë kilogrami. Çmimi i patates asnjëherë nuk ka zbritur poshtë vlerës 80 lekë/kg, kurse bishtaja dhe bamjet kushtojnë nga 200-300 lekë/kg.

Pavarësisht se janë produktet të domosdoshme për tavolinën e çdo familje, qytetarët thonë se kanë ulur konsumin.

“Gjërat e zakonshme që i merrnim me tepricë, nuk i marrim më. Marrim vetëm nga dy ose tre kokrra. Tani kur kemi nevojë do të na ndihmojnë edhe të afërmit do ndihmojmë njëri-tjetrin. Edhe frutat kushtojnë më shumë. 1 kilogramë rrush këtë vit nuk është tregtuar asnjëherë më pak se 200 lekë, po aq është edhe çmimi i dardhës apo i nektarinës.”- tha ai.

Vetë tregtarët thonë se çmimet e larta i kanë stepur qytetarët.

“Çmimet janë pak të shtrenjta por kur mall është i vendit, siç i kam unë gjëra shtëpie, edhe shiten. Por çmimet janë të larta. Ne që kemi produkte fshati nuk janë shumë të shtrenjta, por të tregut janë shtrenjtë. Nuk kemi çfarë të kursejmë, punojmë vetëm me jetuar. Çdo gjë është me planifikim kur ke për të blerë ndonjë gjë.”- tha ai.

Reduktimi i konsumit konfirmohet edhe nga të dhënat e INSTAT, ku për tremujorin e dytë konsumi i popullatës është rritur me vetëm 0.61% krahasuar me fillimin e këtij viti./shqiptarja

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48689 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE