Bilanci i sezonit turistik, Rama: Bumi i këtij viti na vuri përpara sfidave të mprehta që duhet t’i adresojmë!

vovalbania October 03, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Bilanci i sezonit turistik, Rama: Bumi i këtij viti na vuri përpara sfidave të mprehta që duhet t’i adresojmë!

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit për bilancet e sezonit turistik veror tha se bumi i këtij viti e vuri Shqipërinë përpara disa sfidave, të cilat duhet të nisin të adresohen.

Duhet të merren masa, sipas kreut të qeverisë, pasi ekziston një rrezik që ky bum turistësh i këtij sezoni veror të kthehet në bumerang vitin tjetër.

“Bumi turistik i këtij viti përtej efekteve na vuri përpara sfidave të mprehta që duhet të nisim t’i adresojmë. Duhet të jemi të vetëdijshëm që rreziku i këtij nami të mirë është se mund të na kthehet në bumerang është real, bumerang nëse ne nuk do të jemi të përgatitur për të përballuar një kërkesë që do të jetë më e madhe se vitin e ardhshëm. Do të sjellë më shumë kërkesë vitin e ardhshëm. Pa diskutim që ne kemi shumë arsye që të jemi krenarë për punën që kemi bërë, të ndjehemi të shpërblyer, të përpjekjeve për të ngjitur shkallët nga një pikënisje jo fort inkurajuese, kemi përpara nesh edhe shenjat më kuptimplota të faktit që mund të ndërtojmë një Shqipëri turistike që do të shtrihet përgjatë 360 ditëve të vitit. Për ta bërë këtë sigurisht që duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë kemi arritur dhe çfarë ajo që kemi arritur të sjellë si sfidë”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se vitin e ardhshëm turizmi në Shqipëri do të jetë në një fazë tjetër.

“Shtatori është mbyllur me 1,1 milionë të huaj një shifër shumë më e lartë. Nëse edhe tetori dhe nëntori do të ruajnë këtë rend dhe dhjetori do të jetë po ashtu një muaj surprizues ne mund të arrijmë edhe 10 mln turistë këtë vit, 9 milionë. Do të duhej një kurajo shumë e madhe për ta thënë, jo shumë vite më parë, ashtu sikundër, në këtë kohë jo shumë të shkurtër duke marrë parasysh një pjesë të konsiderueshme të krijuar nga paragjykimet të kthyer në perceptim kemi pasur përballë si një pengesë për ta kapërcyer.Vitin e ardhshëm turizmi në Shqipëri do të jetë në një fazë tjetër”, shtoi kreu i qeverisë.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Taulant Balla lajmëroi krijimin e një strukture të re në Policinë e Shtetit, për t’i dalë para nevojës për një nivel tjetër sigurie në zonat turistike. Ajo do të quhet ‘Forca Kombëtare e Sigurisë Publike’ dhe ministri konfirmoi në eventin ku u analizua sezoni turistik 2023, se përgatitjet kanë nisur.

“Unë e di shumë mirë se Policia lokale e Sarandës, për shembull, e ka të pamundur të përballojë sfidën që presim të kemi, qoftë në numër të turistëve, qoftë në cilësinë e tyre. Policia jonë në nivel vendor vuan edhe nga fenomeni i familjarizimit, duke dëmtuar kështu efektivitetin e punës dhe mosreagimit në kohë Policisë së Shtetit. Prandaj ne po krijojmë një Forcë Kombëtare të Sigurisë Publike, brenda Policisë së Shtetit, e cila të jetë e gatshme dhe me kapacitete të mjaftueshme, të përballojë nevojat dhe pritshmëritë e Shqipërisë turistike 10 milionë PLUS. Kjo strukturë e re brenda Policisë së Shtetit do të rrisë prezencën dhe efikasitetin e policisë në të gjithë territorin”, tha Balla.

Ai shtoi më tej se lajmi më i bukur i këtij viti nuk është vetëm shifra 8.3 milionë turistë, por certifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë si një destinacion evropian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurrueshme dhe siguri mbresëlënëse.

“Sot mund ta themi me kokën lart dhe me krenari se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare”, nënvizoi ministri i Brendshëm.

“Nga fjala ime sot këtu dua të mbahet mend mirë se gjatë këtij sezoni turistik nuk është evidentuar asnjë ngjarje kriminale, ndaj jetës së turistëve të huaj që zgjodhën Shqipërinë për të pushuar”, deklaroi Balla.

Ai informoi se gjatë këtij sezonit turistik, kanë kryer shërbim në zona turistike mbi 1600 punonjës policie, pothuajse 1/6 e gjithë forcës së disponueshme policore.

Ndër masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit ai veçoi ngritjen e funksionimin e 6 stacioneve provizore policore në zonën turistike, krijimin e Njësisë Policore Detare, me mbi 100 punonjës.

“Janë trajtuar telefonata/ankesa nga publiku në zonat turistike/plazhe 2905 raste, janë trajtuar mosmarrëveshje të ndryshme në 1134 raste (për të mos lejuar më përsëritjen e rastit të turpshëm të Mihal Kokëdhimës, katër vite më parë) dhe janë arrestuar autorët në 124 raste”, deklaroi ai, ndërsa më tej, Balla kërkoi nga njësitë e vetëqeverisjes vendore investime për sinjalizimin rrugor, në rrugët që të çojnë në zonat bregdetare, si në ato kryesore ashtu dhe ato në dytësore.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49432 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE