Osmani: Serbia të mbahet përgjegjëse për shkeljen e marrëveshjes së normalizimit!

vovalbania October 07, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Osmani: Serbia të mbahet përgjegjëse për shkeljen e marrëveshjes së normalizimit!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se me sulmin në Banjskë më 24 shtator, Serbia shkeli marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve. Osmani bëri të ditur se në takimin e Spanjës me shefin e diplomacisë europiane, Josep Borrell kërkoi që Beogradi të mbahet përgjegjës për ngjarjet e Zveçanit. Në një postim në “X”, shkruan:

Gjatë takimit të Komunitetit Politik Evropian u takua me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, për të diskutuar për aktin e agresionit të Serbisë kundër Kosovës. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për shkeljen e qartë të nenit 3 të marrëveshjes së 27 shkurtit, që parashikon obligime që palët të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i forcës.

Neni 3 i marrëveshjes së cilës i referohet Osmani thotë:

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

Më 24 shtator, një grup personash të maskuar dhe të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, në veriun me shumicë serbe. Për pasojë mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku e autoritetet njoftuan se gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues.

Kosova fajësoi Serbinë se qëndron pas këtij sulmi, por Beogradi mohon të ketë gisht në të. Milan Radoiçiç, i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë e që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar mori përsipër përgjegjësinë dhe tha se përgatiti e mori pjesë në sulmin në Banjskë.

Autoritetet në Kosovë që kanë argumentuar se synimi i sulmuesve ishte “aneksimi i veriut”, paraqitën dëshmi për përfshirjen e Radoiçiçit në sulm, përfshirë pamje me dron ku Radoiçiç shihet i armatosur në fshatin Banjskë.

Kosova ka kërkuar hetim ndërkombëtar për të përcaktuar nëse Serbia është përfshirë në sulm. BE-ja ka thënë se po pret përfundimin e hetimeve për të vendosur nëse do të ndërmarrë masa.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50018 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE