Albin Kurti në Samitin e Berlinit: Mbështesim “Planin me katër hapa”!

vovalbania October 16, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Albin Kurti në Samitin e Berlinit: Mbështesim “Planin me katër hapa”!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij në sesionin e parë të Samitit të Procesit të Berlinit me temën “Integrimi i rajonit në Tregun Unik dhe përmirësimi i konvergjencës me BE”, u ndal te sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë.

Në fillim të fjalës së tij, Kurti e cilësoi më vend që Samiti i Procesit të Berlinit, i themeluar për të rritur bashkëpunimin dhe për të krijuar marrëdhënie të mira fqinjësore mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, po mbahet në Tiranë.

Kurti nënvizoi se qytetarët në Ballkanin Perëndimor sot nuk duhet të jetojnë nën frikën e një konflikti nesër, por të punojnë për një të ardhme së bashku.

Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga zyrtarët tanë policorë u vra, por autorët akoma enden të lirë në Serbi, edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre. Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë.

Sipas tij, një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar. Ai shtoi se edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në Samit, Kurti tha se “ne si udhëheqës të tyre kemi përgjegjësinë për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët. Dhe si udhëheqës, ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim. Kërkohet një angazhim me mirëbesim për të garantuar efektivitetin afatgjatë të marrëveshjeve tona dhe respektimin e të gjitha palëve të investuara në proces”.

Vitin e kaluar, ne nënshkruam tri marrëveshje mobiliteti, një hap i rëndësishëm drejt rezultateve të prekshme. Përderisa që e vlerësoj progresin, ai do mund të ishte edhe më i shpejtë. Fatkeqësisht, mospërfillja e një marrëveshjeje kyçe për lirinë e lëvizjes nga ana e Bosnjës dhe Hercegovinës do të thotë se vazhdon kushti për viza ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës. E mirëpres marrëveshjen e re për profesionet e reja për infermierët, kirurgët veterinarë, mamitë dhe farmacistët, dhe mirëpres marrëveshjet e ardhshme që zgjerojnë edhe më tej gamën e profesioneve të përfshira.

Kryeministri i Kosovës shtoi se mbështesim “Planin me katër hapa” të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor nga Presidentja e Komisionit Evropian.

BE-ja mund të reformohet dhe të zgjerohet. Unë gjithashtu besoj se përfitimet e Tregut Unik të BE-së duhet të lidhen me reformat ekonomike dhe demokratike. Nuk duhet të ketë përfitime të BE-së dhe as fonde të BE-së, pa vlera të BE-së.

Ne jemi të vetëdijshëm për hendekun thelbësor të standardeve të jetesës me BE-në, i cili do të kërkojë kohë për t’u mbyllur. Së bashku, ne duhet të vazhdojmë të punojmë drejt rritjes së qëndrueshme për rajonin tonë. Kosova, një demokraci e gjallë, është e përgatitur të përballet me sfida të reja dhe të përqafojë një të ardhme më të ndritshme. Në këtë drejtim, ne jemi të kënaqur që kemi krijuar Observatorin e Konvergjencës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48748 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE