Izraeli: Hamas mban 199 pengje/Gaza e rrethuar, spitalet në kolaps!

vovalbania October 16, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Izraeli: Hamas mban 199 pengje/Gaza e rrethuar, spitalet në kolaps!

Ushtria izraelite tha se Hamasi dhe të tjerë militantë palestinezë janë duke mbajtur 199 pengje në Gazë. Ky është numër më i lartë se vlerësimet paraprake. Admirali Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha se familjarët e të rrëmbyerve janë njoftuar, por nuk specifikoi sa shtetas të huaj gjenden në Gazë në mesin e pengjeve.

Në Gazën e rrethuar, palestinezët e grumbulluar në spitale e shkolla kërkojnë strehim, ndërsa furnizimet me ujë dhe ushqim po pakësohen. Mbi një milion persona lanë shtëpitë para një pushtimi të pritshëm tokësor nga izraelitët.

Në Gaza, shumica e infrastrukturës ushtarake të Hamasit fshihet në zonat urbane. Izraeli nuk dha afat se kur mund të nisë inkursionin tokësor. Spitalet gjenden në prag të kolapsit, jo në gjendje të plotësojnë kërkesën e Izraelit që të evakuojnë pacientët. Mbi një javë pas sulmeve shkatërruese, izraelitët nuk po ndalin sulmet me raketa nga militantët palestinezë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë njoftoi se mbi 2 mijë e 600 palestinezë u vranë dhe rreth 10 mijë u plagosën prej 7 tetorit. Bilanci është shumë më i lartë se i luftës në Gazë më 2014-ën e që zgjati mbi gjashtë javë. Mbi 1 mijë e 400 izraelitë janë vrarë, shumica civilë.

Ushtria izraelite urdhëroi evakuimin e banorëve që jetojnë në 28 komunitetet pranë kufirit me Libanin. Urdhri vjen në kohën e rritjes së shkëmbimit të zjarrit në kufi mes Izraelit dhe militantëve shiite të Hezbollahut. Preken ata që janë 2 kilometra nga kufiri. Hezbollah tha se sulmet e shtuara janë paralajmërim e nuk nënkuptojnë që ky grup vendosi të hyjë në luftë me Izraelin.  Urdhri vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara paralajmëruan për zgjerimin e mundshëm të konfliktit Izrael-Hamas.

Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, deklaroi se ende ekziston rreziku që grupi militant Hezbollah ose Irani të përfshihen direkt në luftën e Izraelit me Hamasin. Izraelitët kanë bërë të qartë se mund të luftojnë në dy fronte në rast sulmi të Hezbollahut. Konflikti nisi më 7 tetor, pasi hamas nisi sulme të koordinuara nga toka, ajri dhe deti. Izraeli u kundërpërgjigj ashpër, duke bombarduar Rripin e Gazës.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48803 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE