Shuhet Martti Ahtisaari, plani i tij hodhi bazat e Kosovës shtet!

vovalbania October 16, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Shuhet Martti Ahtisaari, plani i tij hodhi bazat e Kosovës shtet!

Shuhet në moshën 86-vjeçare nobelisti i Paqes, Martti Ahtisaari, ish-ndërmjetës i Kombeve të Bashkuara për Kosovën dhe emër që lidhet me shumë misione. I lindur në vitin 1937 në Vipuri të Finlandës, Martti Ahtisaari ka qenë një prej politikanëve e diplomatëve më të njohur të këtij vendi, si edhe më gjerë. Aktivitetet në arenën ndërkombëtare i nisi në vitin 1959 kur shkoi me punë në Pakistan.

Në vitin 1965 nisi karrierën e diplomatit. Në vitet 1970-të ka qenë edhe ambasador në Tanzani, Zambia, Mozambik e Somali. Në vitin 1977 deri më 1981-shin ishte i ngarkuar i Kombeve të Bashkuara në Namibi.
Në vitin 1987, nga Sekretari i atëhershëm i OKB-së, Javier Pérez de Cuéllar, Ahtisaari u emërua për katër vite si nënsekretar i organizatës.

Por, emri i Ahtisaarit lidhet ngushtë edhe me punën diplomatike në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Aktivitetet e tij të drejtpërdrejta në Ballkan filluan që në vitin 1992 kur ishte një prej figurave kyçe në përpjekjet për zgjidhjen me mjete paqësore të luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Dy vite më vonë u zgjodh për herë të parë president i Republikës së Finlandës, detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 2000.

Së bashku me ndërmjetësin rus, Viktor Çernomirdin, në vitin 1999 (gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s) takuan Sllobodan Millosheviçin në përpjekje për të gjetur zgjidhje paqësore të luftës në Kosovë. Më pas, emri i tij lidhet me zhvillimet më të rëndësishme diplomatike që kanë të bëjnë me çështjen e Kosovës. Ai ka drejtuar edhe ekipin e ndërmjetësve, së bashku me austriakun Albert Rohan, në dialogun e zhvilluar në Vjenë, mes delegacioneve të Kosovës e Serbisë.

Pas dështimit të këtij dialogu, ai me ekipin e tij hartuan edhe dokumentin që njihet si Plani i Ahtisaarit dhe që paraqet bazat e Kosovës shtet. Ahtisaari ka drejtuar të tjera misione paqësore në botë. Për këtë është nderuar me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2008 duke u bërë finlandezi i parë që fitoi këtë çmim.

Në vitin 2021 është raportuar se Martti Ahtisaari ka hequr dorë nga të gjitha aktivitetet publike për shkak të sëmundjes Alzheimer. Martti Ahtisaari ndërroi jetë me 16 tetor 2023 në Helsinki.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49852 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE