Begaj pret homologun Macron: Fazë e re shumë dinamike në marrëdhëniet mes dy vendeve!

vovalbania October 17, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Begaj pret homologun Macron: Fazë e re shumë dinamike në marrëdhëniet mes dy vendeve!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti Emmanuel Macron-in, si dhe delegacionin që e shoqëron, në këtë vizitë të parë zyrtare të një Presidenti të Francës në Shqipëri. Njoftohet se në takimin kokë më kokë, Begaj nënvizoi se “vizita demonstron interesin e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe në drejtim të paqes, sigurisë e zhvillimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Pjesë e bisedimeve edhe integrimi europian i Shqipërisë e zhvillimet në rajon. Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vyer që Franca dhe Macron i japin procesit të zgjerimit e të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, përmes Procesit të Berlinit.

Gjithashtu vlerësoi nismën e ndërmarrë një vit më parë nga presidenti Macron, për lançimin e Komunitetit Politik Europian, si iniciativë që i jep më shumë mundësi Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate në Bashkimin Europian, të kenë më shumë akses në projektet e BE-së, veçanërisht në fushën e shkëmbimeve universitare e studentore.

Presidenti Begaj falënderoi gjithashtu presidentin Macron, për kontributin në mbështetje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes planit të quajtur franko-gjerman, duke nënvizuar nevojën e mbështetjes së mëtejshme të këtij dialogu, por edhe të nevojës së dënimit dhe të shkurajimit të akteve të dhunës e të provokimeve në komunat e veriut të Kosovës. “Kosova është vend sovran, i pavarur dhe akte terroriste si i Banjskës në Zveçan (24 shtator 2023) janë të papranueshme e të dënueshme për sigurinë e saj, por edhe të rajonit e të mbarë kontinentit europian.

Presidenti Begaj vlerësoi se pesë vjet pas nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik midis dy vendeve, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Francës kanë hyrë në një fazë të re e shumë dinamike.

Presidenti Begaj shprehu kënaqësinë e tij se përtej marrëdhënieve të konsoliduara kulturore midis dy vendeve, interesi i madh i kompanive franceze, veçanërisht në fushën e energjisë së rinovueshme, por jo vetëm, po i çon marrëdhëniet në një nivel tjetër, edhe më të lartë.  “Jam besimplotë që projektet e parqeve fotovoltaike në Karavasta dhe Spitallë do të ndiqen edhe nga projekte të tjera të mëdha nga investitorët francezë”, – tha Begaj.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51144 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE