“Gërdeci”/ Dëshmojnë 11 persona në GJKKO, seanca shtyhet më 27 tetor!

vovalbania October 18, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
“Gërdeci”/ Dëshmojnë 11 persona në GJKKO, seanca shtyhet më 27 tetor!

Në Gjykatën e Posaçme Anti Korrupsion u mbajt seanca e radhës për çështjen “Gërdeci”.

Këtë të hënë dëshmuan 11 persona, edhe pse u thirrën 15, ndërsa seanca u shty në datën 27 ora 12:00.

Ishte një listë prej 15 dëshmitarësh, të cilëve u dërgua ftesa për t’u dëgjuar sot në Gjykatën Anti Korrupsion.

Ishin dy avokatët mbrojtës të ish-ministrit Fatmir Mediu që u bënë pyetje  në seancë, raporton gazetarja Anila Hoxha.

Çifti Durda, Zamira dhe Feruzan Durda, prindërit e Erisonit që u vra nga shpërthimi i municioneve, 15 marsin e 2008 dëshmuan në seancë.

Zamira Durda kujtoi edhe njëherë momentet se si shpërtheu fabrika e demontimit dhe se si ajo e shqetësuar telefonoi bashkëshortin e saj dhe më pas u largua, teksa i biri kishte dalë të luante me shokët. Ajo kujtoi se fëmija ishte larguar disa herë për të çuar ushqim te të afërmit që punonin në fabrikën e demontimit.

Avokatët mbrojtës pyetën disa herë dëshmitarët nëse e kanë parë ndonjëherë ish-ministrin e Mbrojtjes në fabrikën e demontimit. Dëshmitarët u përgjigjet se nuk e kanë parë, ndërsa shtuan se predhat dhe municionet transportoheshin me forca ushtarake dhe kamion të ushtrisë.

Zamira Durda akuzoi se ky është një krim shtetëror dhe se djalin e vrau ushtria. Ajo i la gjykatësve në sallë dy fletore të djalit të saj të ndjerë dhe kujtoi se i biri kishte qenë për herë të fundit në shkollë në 13 mars 2008 dhe kërkoi që vendimi i gjykatës të shkruhej në këto fletore të mbetura në mes, ashtu si jeta e djalit të saj.

Një tjetër dëshmitare tha se në fabrikë nuk kishte rregulla, nuk kishte firmosur asnjë kontratë dhe paratë i merrte çdo dy javë. Ajo kujtoi se për t’u larguar nga fabrika pas shpërthimit, iu desh të shkelte mbi trupat e viktimave.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49009 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE