Kurti kërkon që forcat shtesë të KFOR-it të ruajnë kufirin me Serbinë!

vovalbania October 18, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kurti kërkon që forcat shtesë të KFOR-it të ruajnë kufirin me Serbinë!

Kryeministri Albin Kurti kërkon që forcat shtesë të KFOR-it që janë dërguar në Kosovë, “të përqendrohen në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë”. Këtë kërkesë ai e bëri gjatë një takimi me komandantin turk të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, Ozkan Ulutash.

Sipas njoftimit, Kurti dhe Ulutash biseduan për situatën e sigurisë në Kosovë, pas sulmit ndaj policisë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Gjatë sulmit të grupit të armatosur të serbëve ndaj policisë mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në përplasje, autoritetet thanë se u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kurti nënvizoi se Kosova është e interesuar që të rrisë bashkëpunimin me KFOR-in. Në njoftimin e zyrës së shefit të qeverisë së Prishtinës thuhet:

Kryeministri e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën. Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës.

Pas sulmit të Banjskës më 24 shtator, autoritetet konfiskuan një sasi të madhe armësh në veri të shtetit. Kosova ka fajësuar Serbinë për atë që ndodhi, por Beogradi zyrtar po mohon të ketë gisht në organizim. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Milan Radoiçiç, i cili më pas dha dorëheqje si nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë e që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Për shkak të sulmit, NATO rriti praninë në Kosovë duke dërguar trupa shtesë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë dënuar ashpër sulmin.

Nga Bashkimi Europian, Kosova ka kërkuar që t’i vendosë Serbisë masa ndëshkuese, por në bllokun europian bënë të qartë se po presin që të përfundojnë hetimet dhe më pas do të vendosin për masat e çdo hap të mundshëm.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48760 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE