Sulmi në spitalin e Gazës, presidenti Biden: Thellësisht i pikëlluar, po mbledhim informacione!

vovalbania October 18, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulmi në spitalin e Gazës, presidenti Biden: Thellësisht i pikëlluar, po mbledhim informacione!

Presidenti amerikan, Joe Biden u shpreh “i indinjuar” dhe “thellësisht i pikëlluar nga shpërthimi” në një spital në qytetin e Gazës e për “humbjet e tmerrshme të jetëve”. Në një deklaratë zyrtare të bërë kur ende gjendej në bordin e avionit Air Force One, rrugës për në Izrael, Biden tha se bisedoi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe mbretin e Jordanisë, Abdullah II. Këshilltarëve të tij iu kërkoi të vazhdojnë të mbledhin informacion mbi atë që ka ndodhur saktësisht.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm për qëllime humanitare” në kulmin e konfliktit mes Hamasit e Izraelit. Referuar sulmit me 500 viktima në një spital të Gazës, për të cilin palët ndërluftuese fajësojnë njëra-tjetrën, Guterres shprehu shqetësimin e thellë se civilët po paguajnë pasoja të rënda.

Izraeli mohon përfshirjen e thotë se janë terroristët që po godasin. Hamas raporton për 3 mijë e 200 persona që kanë humbur jetën e 11 mijë të plagosur që nga fillimi i konfliktit, më 7 tetor.

Masakra e spitalit në Gaza, rrezikon t’i ndezë edhe më shumë armiqësitë.  Ushtria izraelite thotë se shpërthimi ishte rezultat i lëshimit të një rakete të Xhihadit Islamik e që vajti keq. Grupi militant palestinez Hamas akuzon Amerikën e thotë se mban përgjegjësi për sulmin, për shkak të asaj që e quan “mbështetje ndaj agresionit izraelit”.

Masakra në spitalin e Gazës mori një reagim të ashpër edhe nga bota arabe. Jordania anuloi takimin 4-palësh me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi dhe presidentin e Autoritetit Palestinez Abu Mazen të planifikuar në Aman. Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel: “Sulmi në spital shkel ligjin ndërkombëtar”. Më herët gjatë ditës së djeshme, një raketë e lëshuar nga Izraeli goditi një shkollë që përdorej si strehë, duke vrarë 6 persona.

Ndërkaq, presidenti amerikan, Biden, sot viziton Izraelin ku do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu. Vizitën e tij e konfirmoi edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në fund të takimit në Jeruzalem po me Netanyahun e që zgjati shtatë orë e gjysmë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48767 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE