Sulmi në spitalin e Gazës, presidentja Osmani: Mbroni jetët e pafajshme!

vovalbania October 18, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulmi në spitalin e Gazës, presidentja Osmani: Mbroni jetët e pafajshme!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i cilësoi “shkatërruese” pasojat e shpërthimit në një spital në qytetin e Gazës e ku raportohet se kanë gjetur vdekjen qindra persona. Shumica e tyre merrnin mjekim për shkak të plagëve nga sulmet në vijim të luftës Izrael-Hamas. Në një postim në platformën X, Osmani shkruan:

Jetët e pafajshme duhet të mbrohen. Fatkeqësisht, janë civilët që gjithmonë e pësojnë më së shumti në çdo konflikt.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden u shpreh “i indinjuar” dhe “thellësisht i pikëlluar nga shpërthimi” në spital. Biden tha se bisedoi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe mbretin e Jordanisë, Abdullah II. Këshilltarëve të tij iu kërkoi të vazhdojnë të mbledhin informacion mbi atë që ka ndodhur saktësisht.

Brukseli kërkon verifikim të të gjitha fakteve dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë lidhur me Gazën. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se “nuk ka  asnjë justifikim për të shënjestruar një spital plot me civilë”. Zyrtarja e lartë europiane kërkoi të dyfishojnë përpjekjet për të mbrojtur civilët nga furia e kësaj lufte.

Izraeli vazhdon të mohojë me vendosmëri përfshirjen në masakrën e një spitali po në Gaza e ku humbën jetën 500 persona. Ndërsa këmbëngul se sulmi ishte pasojë e një rakete të rrëzuar të Xhihadit Islamik palestinez, ushtria izraelite publikoi foto për të cilat tha se tregojnë se mbi spital nuk kishte avionë të Izraelit.

Por, Xhihadi Islamik palestinez hedh poshtë pretendimin e zëdhënësit të ushtrisë izraelite se një lëshim i dështuar i raketës nga grupi militant qëndron pas tragjedisë në spitalin Al-Ahli të Gazës. Ndërsa akuzon Izraelin se gënjen, thotë se “këndi i gjuajtjes dhe intensiteti i zjarrit tregojnë se ishte një sulm nga ajri”.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm për qëllime humanitare” në Gaza.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49417 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE