Minatorë e pensionistë, protestë para Kuvendit ndërsa punimet e seancës u shtynë!

vovalbania October 19, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Minatorë e pensionistë, protestë para Kuvendit ndërsa punimet e seancës u shtynë!

Minatorë dhe pensionistë protestuan para selisë së Kuvendit që zakonisht të enjteve mblidhet për seancën plenare të radhës, por që sot u shty pas kaosit nga deputetët e opozitës, të cilët e bllokuan, siç thanë “në shenjë proteste për mbajtjen në sirtar të projektligjeve e nismave” që kanë dorëzuar e ndërmarrë në dy vite.

Minatorë e pensionistë kërkuan që Kuvendi të miratojë statusin e minatorit, si dhe të vendosë për rritjen e masës së pensioneve. Protesta nisi rreth orës 9:30 minuta kur po mblidheshin deputetët për nisjen e seancës plenare.

Protestuesve iu afrua deputeti Oerd Bylykbashi, për t’i garantuar mbështetjen e opozitës, por minatorët dhe protestuesit kërkuan largimin e tij, të vendosur për të mos i përfshirë politikanët në kërkesat e tyre.

Gjatë protestës nuk kanë munguar edhe përplasjet me policinë në momentin kur  tentuan që t’i afrohen oborrit të Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkaq, sa i përket punimeve të seancës plenare, ato u shtynë.

Zyra për shtyp e Kuvendit njoftoi:

Në pamundësi për zhvillimin normal të seancës plenare, për shkak se deputetë të opozitës bllokuan hyrjen në sallë, vendin ku ulet Kryetarja e Kuvendit dhe kabineti qeveritar, si dhe hoqën kartat nga ulëset e deputetëve, nënkryetarja e Kuvendit,  Ermonela (Felaj) Valikaj në cilësinë e drejtueses së seancës njoftoi shtyrjen e saj.

Deputetët e opozitës nuk lejuan fillimin normal të punimeve të seancës plenare të Kuvendit, pasi bllokuan vendet ku ulen ministrat dhe kryetarja e Parlamentit. Ky reagim i deputetëve të opozitës vjen edhe se sipas tyre, “maxhoranca socialiste nuk ka lejuar ngritjen e komisioneve hetimore e përfaqësimin e opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore”.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali reagoi ndaj bllokimit të seancës, si dhe deklaratave të Sali Berishës për nisjen e qëndresës.

Pasi iu sulën me revan e yrysh, me kazma e qysqi shtëpisë së tyre, sot aradha e mbetur e opozitës pa kokë, tentoi pushtimin e sallës së Kuvendit, asaj që duhej të ishte shtëpia e popullit.

Zunë karriget në tryezën e qeverisë, si dëshmi e dëshirës së papërmbajtur për pushtet pa votë, dhe folën nga errësira me fjalë të zeza. Për çudi ekstremet puqen: si Biri ashtu dhe Ati. Dje, mbas çdo humbjeje, Luli thoshte: Beteja sapo ka filluar. Sot Saliu, i humbur pa filluar ende, thotë: tani nisi qëndresa! Aferim e Selam në udhën e qorrollepsjes në terr!

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48935 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE