Protestë e njësive speciale të Policisë së Kosovës për trajtim financiar më të mirë!

vovalbania November 01, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Protestë e njësive speciale të Policisë së Kosovës për trajtim financiar më të mirë!

Në Kosovë, pjesëtarë të Njësisë Speciale të Ndërhyrjes e të asaj antieksploziv protestuan para selisë së qeverisë në Prishtinë, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit lidhur me rrezikshmërinë në punë. Kërkesat e tyre janë: kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria t’iu përcaktohet në 50% të pagës bazë e të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Efektivët presin që përfaqësuesit e këtyre njësive, së shpejti të takohen me kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe që qeveria t’iu marrë për bazë kërkesat që kanë paraqitur. Po ashtu, u shprehën të pakënaqur që nuk janë përfshirë në shtesa të tjera.

Pjesëtarët e këtyre njësive policore janë të certifikuar për luftën kundër terrorizmit, lirimin e pengjeve, si dhe në rastet kur cënohet siguria kombëtare në Kosovë. Një prej protestuesve deklaroi:

Jemi të specializuar për trajtimin e kërcënimeve me eksplozivë dhe bomba. Ndërhyjmë në situata ku rrezikshmëria vlerësohet të jetë ekstreme. Gjithashtu, këto dy njësi në kryerjen e detyrave të tyre gjithmonë kanë dëshmuar profesionalizëm të lartë, ku ndër vite kanë realizuar me sukses operacione të shumta policore, sidomos në pjesën më të ndjeshme të vendit duke mbrojtur vazhdimisht integritetin dhe sovranitetin shtetëror.

Pak ditë më parë, më 27 tetor, qeveria Kurti prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Ato janë ndarë në shtatë kategori dhe secila prej tyre lidhet me detyrat e punonjësve të policisë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për atë Speciale të Ndërhyrjes, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtjen e Afërt, shtesat do të jenë prej 150 eurosh mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për Eksplozivët dhe Pastrimin e Minave, qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë 120 euro. Sipas ekzekutivit në Prishtinë, këto shtesa do të aplikohen nga ky muaj që sapo nisi, por pasi të hyjë në fuqi Ligji për Pagat.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49649 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE