Pas 5 vitesh, pësojnë rënie presionet inflacioniste!

vovalbania November 10, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Pas 5 vitesh, pësojnë rënie presionet inflacioniste!

Presionet e huaja inflacioniste pësuan rënie gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, duke kaluar në territor negativ për herë të parë që prej 2018-ës. Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste (TPHI) është tkurrur me 4.2% gjatë këtij tremujori, nga rritja 3.3% në tremujorin e dytë të vitit. Kjo lidhet me prirjen ngadalësuese të rritjes së çmimeve të huaja dhe me sjelljen mbiçmuese të kursit të këmbimit.

Çmimet e huaja u rritën me 12.4% gjatë tremujorit të tretë, nga 16.2% në tremujorin e dytë të vitit. Paralelisht, kursi nominal efektiv i këmbimit u mbiçmua me 16.5% nga 13% një tremujor më parë, duke reduktuar presionet e huaja inflacioniste. Zhvillimet e inflacionit të importuar pritet të transmetohen në inflacionin e përgjithshëm në periudhat e mëvonshme.

Nga analizat korrelative të treguesve përkatës me vonesa të ndryshme kohore, Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste është një tregues paraprijës për zhvillimet e ardhshme afatshkurtra të komponentit të inflacionit të importuar, me një deri në dy tremujorë. Mbështetur në këto afate, pritet që efektet e rënies së inflacionit të importuar të ndihen në ekonominë shqiptare mes tremujorit të fundit të këtij viti dhe tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.

Statistikat tregojnë se inflacioni në Shqipëri zbriti në nivel mesatar prej 4.1% në tremujorin e tretë, nga nivelet përkatëse prej 6.5% dhe 4.6% në tremujorin e parëhe të dytë të vitit.

Trendi rënës i inflacionit është ndikuar nga rënia e çmimeve të naftës dhe inflacioni më i ulët i ushqimeve, në pasqyrim të rënies së këtyre çmimeve në tregjet globale dhe mbiçmimit të kursit të këmbimit. Por, nga ana tjetër, inflacioni bazë dhe në veçanti, inflacioni i shërbimeve vijojnë të qëndrojnë në nivele të larta, duke dhënë kontribut të qëndrueshëm në inflacion e duke frenuar reduktimin e mëtejshëm të tij.

Banka e Shqipërisë vëren se rritja e çmimeve të naftës në tregjet e huaja gjatë tremujorit të tretë të vitit është reflektuar në zgjerim në 24% të kontributit të inflacionit të importuar në formimin e inflacionit total, nga 19% një tremujor më parë. Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor mbiçmuese e kursit të këmbimit ka ndihmuar në lehtësimin relativ të përcjelljes së presioneve nga rritja mujore e çmimeve të naftës në inflacion.

Megjithëse pesha e inflacionit të importuar është rritur, shifrat tregojnë qartë se në më shumë tre të katërtat, inflacioni total në ekonominë shqiptare vazhdon të gjenerohet nga ekonomia e brendshme.

Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë normën bazë të interesit nga 3% në 3.25%. Sipas guvernatorit, Gent Sejko, presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48880 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE