Rama komenton dezinformimin për marrëveshjen e emigrantëve: Fantazi që prodhon gënjeshtra për t’u lënë vend zënkave politike!

vovalbania November 14, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Rama komenton dezinformimin për marrëveshjen e emigrantëve: Fantazi që prodhon gënjeshtra për t’u lënë vend zënkave politike!

Kryeministri Edi Rama gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Medias për Evropën Juglindore preku edhe temën e marrëveshjes mes Shqipëirisë dhe Italisë për emigrantët.

Ai ka përmendur informacionet e gabuara që janë publikuar në media në lidhje me këtë marrëveshje.

Rama: Përpara se të vija këtu m’u desh të jepja një intervistë për një stacion televiziv italian, nuk e di pas sa ditësh kur ne bëmë publike këtë marrëveshje më duhet t’i përgjigjem pyetjes për rrezikun që mund t’i vijë Shqipërisë duke sjellë 3 mijë meshkuj afrikanë. Por kryeministrja italiane e shpjegoi marrëveshjen ku gratë shtatzëna dhe fëmijët nuk do të përfshihen në këtë program për shkak të gjendjes së tyre, do të çohen aty ku mund t’u jepet ndihmë e menjëherëshme. Lajmi ishte që ‘asnjë grua, vetëm 3 mijë burra afrikanë’ dhe kështu u përhap, nuk e di sa e sa herë gjatë këtyre ditëve më është dashur ta sqaroj dhe vazhdon të mbetet e ngulitur në të gjithë atë fantazi që prodhohen këto gënjeshtra për t’u lënë vend pastaj zënkave politike, do të vijnë afrikanët këtu, të uritur seksualisht dhe zoti e di ç’do të ndodhë kur të shfryjnë dëshirat e tyre një ditë tek vajzat e bardha shqiptare. Ju jeni njerëz, politikanët nuk janë njerëz. Pyetja është si ta luftojmë këtë dhe ky është vetëm një shembull që ka përfshirë dy vende.  Unë e di që italianët janë shqiptarë të veshur me Versace, është çmenduri. Liria e shtrirjes së informacionit e ka tejkaluar masivisht lirinë e fjalës, nuk ka më dialog, nuk ekziston më, ka llogore, ka llogore parapëlqimesh për fakte alternative apo të vërtetash alternative, gjithkush pozicionohet në llogoren e tij. Nga ajo llogore nuk ka dëshirë për të dëgjuar apo shkëmbyer.

Kryeministri Edi Rama, nuk e ka kursyer ironinë për Partinë Demokratike shqiptare, teksa i kthente përgjigje PD-së së majtë italiane për marrëveshjen e firmosur me Giorgia Melonin për emigrantët e paligjshëm.

Kreu i qeverisë shprehet se ndihma ndaj Italisë për situatën e emigrantëve të paligjshëm, në një kohë kur as Europa nuk po gjen një zgjidhje për situatën, është më pakta që Shqipëria mund të bëjë për vendin fqinj.

Reagimi i Ramës vjen pasi në disa media italiane u raportua se PD e Italisë do kërkonte përjashtimin e tij nga Partia Socialiste Europiane.

Sipas asaj që shkruan Rama, Partia Demokratike italiane e ka mohuar që të ketë kërkuar përjashtimin e tij, megjithatë ai shton se marrëveshja për emigrantët e paligjshëm, mund të mos jetë më e mira, por si qëllim kryesor ka që t’i vijë në ndihmë Italisë.

“Është përhapur në gazeta lajmi se miqtë e PD-së italiane do të donin të më përjashtonin nga Partia e Eurosocialistëve dhe më pas ata vetë e mohuan me njëfarë vonese, por duke nënvizuar se marrëveshja që bëri Shqipëria me qeverinë italiane është e gabuar në të gjitha pikat, pikërisht të njëjtën gjë thonë shumë të PD-të e së djathtës shqiptare që po luftojnë për të drejtën e të njëjtit emër pas ndarjeve të mëvonshme.

Sigurisht që do të më mungojë aftësia për të parë këndvështrimet e shumta të të gjitha këtyre PD-ve, por në respekt të plotë të PD-së italiane do të doja të përsërisja këndvështrimin tim të vetëm: Përpjekja për të ndihmuar Italinë në këtë situatë, kur askush në Evropë nuk duket se ka një zgjidhje që mund të ndahet nga të gjithë, ndoshta nuk është më e mira, por sigurisht është minimumi që Shqipëria duhet dhe mund të bëjë! Nëse kjo nuk është për të majtën në Itali…duket se nuk është as për të djathtën në Shqipëri. Ndoshta është gjëja e drejtë për t’u bërë.

(Më vjen keq që nuk mund të takohem me miqtë e mi italianë në Samitin e PSE në Malaga, sepse jam në Forumin e Paqes në Paris, por shpresoj që diskutimi mbi çështjen gjithnjë e më të mprehtë të emigracionit do të nxjerrë në pah përgjigjen e mirë, konkrete dhe e përbashkët që Evropa e pret prej shumë vitesh tani.)

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49597 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE