Ministri Manja: 21 janari kapitull i hapur, krim shtetëror që duhet hetuar!

vovalbania November 17, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ministri Manja: 21 janari kapitull i hapur, krim shtetëror që duhet hetuar!

Lidhur me vendimin e Strasburgut për 21 janarin 2011, ku në protestën e opozitës socialiste të kohës, u vranë katër protestues në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se “me atë vendim, 21 janari është kapitull i hapur” dhe vuri në dukje se “autoritetet shqiptare duhet të kenë një përgjigje të qartë”.

Në një prononcim për gazetarët, Manja deklaroi se vendimi i Strasburgut edhe pse i vonuar pas 12 vitesh është një vendim i mirë që konfirmoi qëndrimet e mbajtura dhe autoritetet kanë detyrimin për ta respektuar. “Strasburgu ka thënë se 21 janari nuk është hetuar në të gjithë dimensionin si krim shtetëror”, – theksoi ministri i Drejtësisë.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, edhe pse i vonuar pas 12 vitesh është vendim i mirarsyetuar, çfarë konfirmon edhe qëndrimet tona në lidhje me ngjarjen e 21 janarit. Është konstatuar shkelje e nenit 2 të Konventës dhe në bazë të nenit 46 të Konventës, autoritetet shqiptare kanë detyrimin për të respektuar vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që do të thotë se 21 janari tashmë konsiderohet një kapitull i hapur dhe duhet të ketë një përgjigje të qartë të autoriteteve shqiptare. E kam fjalën për agjencitë ligjzbatuese për 21 janarin. Strasburgu ka thënë se 21 janari nuk është hetuar në të gjithë dimensionin e tij, si një krim shtetëror.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg u shpreh të martën e 14 nëntorit se në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011 janë vërejtur mangësi të shumta, të cilat ngritën dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin padrejtësisht. Sipas Gjykatës, janë konstatuar dy shkelje të Nenit 2, e drejta për jetën dhe për hetim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, në rastin e Aleks Nikës, njëri prej katër protestuesve që mbeti i vrarë në ngjarjet tragjike të rreth 13 viteve më parë në mes të kryeqytetit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE