32 foshnje nuk janë evakuar nga spitali më i madh në Gaza!

vovalbania November 19, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
32 foshnje nuk janë evakuar nga spitali më i madh në Gaza!

Ekipi i Kombeve të Bashkuara njofton se 291 pacientë kanë mbetur në spitalin më të madh të Gazës, pasi trupat izraelite evakuan disa të tjerë. Në mjediset spitalore ende qëndrojnë 32 foshnje në gjendje jashtëzakonisht kritike, persona me plagë shumë të infektuara dhe ata me lëndime në shtyllën kurrizore e që nuk mund të lëvizin.

Ekipi mundi të qëndronte në spitalin al-Shifa për një orë, pasi rreth 2 mijë e 500 të zhvendosur, pacientë që arrinin të lëviznin dhe stafi mjekësor u larguan nga mjediset e spitalit, dje në mëngjes. Organizata Botërore e Shëndetësisë, njofton se 25 pjesëtarë të stafit mjekësor, ende janë në spital, së bashku me pacientët.

Pacientët dhe personeli me të cilët biseduam ishin të tmerruar për sigurinë e gjendjen e tyre shëndetësore dhe na u lutën për evakuim. Al-Shifa është kthyer në zonë të vdekjes. Më shumë ekipe do të tentojnë të shkojnë atje ditët në vijim, për të evakuar pacientët në jug të Gazës, ku spitalet sërish janë të mbingarkuara.

Izraeli pretendon se Hamasi, grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian ka një qendër komanduese brenda e në bodrumet e al-Shifës. Spitalin e konsideron shënjestër për t’i dhënë fund sundimit të Hamasit në Gaza, pas sulmeve të 7 tetorit në jug të Izraelit, që nxitën luftën.

Hamasi dhe stafi i spitalit mohojnë pretendimet e Izraelit. Trupat izraelite që gjenden në spital, prej ditësh po kryejnë kontrolle e pretendojnë se kanë gjetur pistoleta dhe armë të tjera ndërsa iu treguan gazetarëve hyrjen e një tuneli. Por, këto pohime të ushtrisë, nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Largimet masive, Izraeli i përshkroi si “largime vullnetare”. Por, OBSH-ja tha se ushtria dha urdhër për evakuim. Disa prej të larguarve folën për “eksod me forcë”. Ndërkaq, në të tjera vende në veri të Gazës, dhjetëra persona janë vrarë në kampin e refugjatëve Xhabalija, ku sipas dëshmitarëve një sulm izraeliti goditi një vendstrehim të OKB-së, një ditë më parë. Si pasojë e sulmit ajror u shkatërrua një shkollë në këtë kamp.

Ushtria izraelite që vazhdimisht iu bën thirrje palestinezëve të largohen nga veriu i Gazës, tha se trupat e saj janë aktive në këtë zonë “me synimin për të shënjestruar terroristët”. Në jug të Gazës, dje një sulm ajror izraelit goditi një bllok banimi në Han Junis, duke lënë të vrarë të paktën 26 palestinezë, sipas mjekëve në spitalin ku u dërguan viktimat.

Mbi 11.500 palestinezë janë vrarë, referuar të dhënave të paraqitura nga autoritetet shëndetësore palestineze. 2.700 të tjerë raportohen të zhdukur e  mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49553 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE