Washington Post: Izraeli dhe Hamasi, pranë marrëveshjes për armëpushim!

vovalbania November 19, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Washington Post: Izraeli dhe Hamasi, pranë marrëveshjes për armëpushim!

Washington Post shkruan se “Izraeli dhe Hamasi janë afër arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim”, ndërsa lufta mes tyre vijon prej 7 tetorit kur grupi radikal palestinez, i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, sulmoi jugun e Izraelit. Mbi 1 mijë e 400 izraelitë u vranë e më shumë se 240 të tjerë u morën peng.

Në një marrëveshje të negociuar me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, të dy palët ndërluftuese po shqyrtojnë një armëpushim pesë-ditor, gjatë të cilit mund të lirohen dhjetëra pengje izraelitë të mbajtur nga organizata terroriste islamike në Rripin e Gazës.

Në përgjigje të artikullit, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Adrienne Watson shkroi në Platformën X:

Ne nuk kemi arritur ende një marrëveshje, por vazhdojmë të punojmë shumë për të arritur atje.

Sipas Washington Post-it, “lirimi i pengjeve mund të fillojë në ditët në vijim, por me kusht që të mos ketë probleme të minutës së fundit”. Ndërprerja e armiqësive duhet të lejojë gjithashtu më shumë ndihma humanitare, duke përfshirë karburantin, për të shkuar në Rripin e Gazës përmes pikë-kalimit Rafah me Egjiptin.

Ekipi i Kombeve të Bashkuara njoftoi se 291 pacientë kanë mbetur në spitalin më të madh të Gazës, pasi trupat izraelite evakuan disa të tjerë. Në mjediset spitalore ende qëndrojnë 32 foshnje në gjendje jashtëzakonisht kritike, persona me plagë shumë të infektuara dhe ata me lëndime në shtyllën kurrizore e që nuk mund të lëvizin.

Ekipi mundi të qëndronte në spitalin al-Shifa për një orë, pasi rreth 2 mijë e 500 të zhvendosur, pacientë që arrinin të lëviznin dhe stafi mjekësor u larguan nga mjediset e spitalit, dje në mëngjes. Organizata Botërore e Shëndetësisë, njofton se 25 pjesëtarë të stafit mjekësor, ende janë në spital, së bashku me pacientët.

Pacientët dhe personeli me të cilët ne biseduam ishin të tmerruar për sigurinë e gjendjen e tyre shëndetësore dhe na u lutën për evakuim. Al-Shifa është kthyer në një zonë të vdekjes. Më shumë ekipe do të tentojnë që të shkojnë atje në ditët në vijim, për të evakuar pacientët në jug të Gazës e ku sërish spitalet janë të mbingarkuara.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50254 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE