Operacioni i SPAK-ut, 4 të arrestuar dhe 6 në kërkim/Ervin Mata dhe Eralbi Breçani mes të kërkuarve!

vovalbania November 21, 2023 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Operacioni i SPAK-ut, 4 të arrestuar dhe 6 në kërkim/Ervin Mata dhe Eralbi Breçani mes të kërkuarve!

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar doli me një njoftim zyrtar lidhur me operacionin e fundit ku GJKKO-ja vendosi “Arrest në burg” për 10 të dyshuar, si dhe masën e sigurimit personal për një oficere. Ata dyshohen për prodhim e trafik droge, grup të strukturuar kriminal, sigurim të kushteve e mjeteve për të kyer vrasje, armëmbajtje pa leje e pastrim parash.

Mes katër të arrestuarve janë Dedan Gjoni, shef i Krimeve në Komisariatin e Policisë numër 6 në Tiranë, si edhe Erzen Breçani, ish-zv.drejtor i Policisë së Tiranës, i cili u vu në pranga në afërsi të stadiumit “Air Albania”.

Ndër të tjera në njoftimin e SPAK-ut, thuhet se po ashtu është ushtruar kontroll edhe në banesat e tyre, ku në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar shuma monetare, automjete, telefona e armë zjarri të ndryshme.

Më datën 20.11.2023 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, kanë ekzekutuar urdhrat për ekzekutimin e vendimit penal nr.124, datë 17.11.2023 për 4 shtetas, konkretisht për shtetasit E.B., B.M., D.Gj. dhe B.A.

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll në banesa dhe ambiente të tjera, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete, telefona, armë zjarri të ndryshme.

Një tjetër i arrestuar është Bujar Gërmizi, i njohur me mbiemër tjetër, i cili akuzohet se me Besmir Mustatin, gjithashtu në pranga, planifikonte vrasjen e dy vëllezërve që banonin në Britaninë e Madhe. Për shkak të përplasjeve që kishin për çështje droge, i kishte vënë në shënjestër.

Raportohet se Gërmizi u shoqërua nga Kukësi drejt Drejtorisë së Policisë Tiranë, nën masa të rrepta sigurie. Një tjetër emër i njohur është Ervin Mata, i shpallur në kërkim bashkë me Eralbi Breçanin, djalin e Erzen Breçanit. Mes tyre dhe Matës ka një lidhje krushqie.

Operacioni është duke vijuar edhe në shtetin e Spanjës ku krahas Matës dhe Eralbi Breçanit dyshohet se gjenden edhe katër të kërkuarit e tjerë:

Ismail Zeneli

Artan Sulejmani

Albert Prenga

Bajram Grabova

Po ashtu u dha masa e sigurisë “Detyrim për paraqitje” ndaj oficeres Jonida Babameto.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar në datën 28.04.2023 procedimin penal nr.78 të vitit 2023, për veprat penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 80, 278, 283,  283/a, 287, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi penal, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese hollandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, në Amerikën e Jugut si dhe në disa vende të tjera në Evropë. Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri.

Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:

Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Hollandë në datën 05.01.2021;

Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021;

Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erwitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani;

Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Republikën e Shqipërisë;

Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë;

Po vazhdohet me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale, për të cilat është kërkuar sekuestrimi i tyre.

Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publikë, punonjës të policisë së shtetit në nivel të lartë, të cilat cënonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit.

Është dokumentuar përfshirja e punonjësve të policisë në grupe kriminale.

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.124, datë 17.11.2023 ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg” për 10 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale, konkretisht për shtetasit I.Z, B.A, D.Gj, E.B, B.M, A.S, A.P, B.G, E.B, E.M dhe masën e sigurimit personal për shtetasen J.B.

Më datën 20.11.2023 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, kanë ekzekutuar urdhrat për ekzekutimin e vendimit penal nr.124, datë 17.11.2023, për 4 shtetas, konkretisht për shtetasit E.B., B.M., D.Gj. dhe B.A.

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll në banesa dhe ambiente të tjera, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete, telefona, armë zjarri të ndryshme.

Falenderojmë Policinë e Shtetit për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.

Falenderim të veçantë për Eurojust, Europol, Autoritetet Gjyqësore Franceze dhe agjencitë  ligjzbatuese hollandeze, belge, franceze e gjermane për bashkëpunimin intensiv dhe kontributin e dhënë në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE