Stoltenberg në Beograd: Grumbullimi i ushtrisë serbe pranë Kosovës nuk ndihmon situatën!

vovalbania November 21, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Stoltenberg në Beograd: Grumbullimi i ushtrisë serbe pranë Kosovës nuk ndihmon situatën!

Në vijim të turit rajonal, pas Sarajevës e Prishtinës, sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shkoi në Beograd nga ku deklaroi se “grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën, nuk ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve”.

Siç dihet, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën dukshëm më 24 shtator kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Tre sulmues serbë u vranë në luftimet që pasuan.

Pak kohë pas sulmit, Serbia dërgoi forcat e saj në afërsi të kufirit kosovar, para se t’i tërhiqte për shkak të reagimit të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

“Të dy palët duhet t’i ulin tensionet dhe të vetëpërmbahen nga veprimet përshkallëzuese”, tha Stoltenberg në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.

Përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit e mori Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e që gëzon mbështetjen e Beogradit. Në të kaluarën, Serbia ka zhvendosur trupat e saj pranë kufirit me Kosovën disa herë.

Grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk do të ndihmonte në qetësimin e situatës.

Duke komentuar kërkesën e Perëndimit që Serbia të mos e grumbullojë ushtrinë e saj në kufirin me Kosovën, presidenti serb, Aleksander Vuçiç deklaroi se forcat e tyre të armatosura, “kurrë nuk i kanë tejkaluar të drejtat dhe kompetencat që kanë”.

Ku dhe si do ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, pa rrezikuar askënd, kjo është puna jonë! Kur është fjala për hetimin e sulmit në Banjskë, unë kam një pikëpamje tjetër për atë që ka ndodhur, por i kuptoj kërkesat e NATO-s dhe të Perëndimit.

Presidenti Vuçiç shtoi:

Në përputhje me ligjin, ne do të mbajmë përgjegjës personat që morën pjesë në kryerjen e veprave penale në Banjskë.

Bashkëpunimin e Serbisë me NATO-n dhe misionin e KFOR-it, presidenti i Serbisë e quajti si “të mirë dhe korrekt”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50889 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE